Kosova ka potencial të mjaftueshëm për zhvillimin e turizmit, duhet një organizim më i mirë në këtë sektor

16/09/2015

16 shtator – Në vazhdën e konferencave ndërkombëtare të organizuara në UBT, sot në këtë institucion i ka nisur punimet konferenca “Ditët Austriake-Kosovare të Turizmit 2015”, e organizuar nga Shoqata Austriake-Kosovare, me mbështetjen e projektit PPSE, Odës Ekonomike të Austrisë dhe UBT-së.


Qëllimi i konferencës është promovimi i sektorit të turizmit në Kosovë dhe ofrimi i modelit dhe përvojave austriake në fushën e turizmit, si ndihmesë për zhvillimin ekonomik të Kosovës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, si dhe intensifikimi i bashkëpunimit midis Austrisë e Kosovës në fushën e turizmit dhe promovimin e zhvillimit ekonomik në këtë sektor.

Drejtues i konferencës, Gunther Fehlinger, në hapje të punimeve, theksoi rëndësinë që kanë diskutimet në temën e turizmit, duke pasur parasysh potencialin e shtetit të Kosovës në këtë fushë, e cila nuk është e zhvilluar sa duhet dhe ka nevojë për përkrahje nga institucionet, qofshin ato publike apo private.


Rektori i UBT-së, prof.dr.Edmond Hajrizi theksoi se UBT, si një institucion i arsimimit të lartë, po bëhet bartës edhe i promovimit të turizmit në Kosovë, prandaj jemi shumë të privilegjuar që po marrim pjesë në këtë aktivitet që për bazë e ka promovimin e vendeve të bukura, të cilat duhet të frekuentohen jo vetëm nga kosovarët por edhe nga qytetarët e vendeve të rajonit e më gjerë.

Ai shtoi se duke e promovuar produktin vendor, Kosova automatikisht krijon mundësi të reja të punësimit, posaçërisht të atyre që jetojnë në vende rurale.

Ndërsa dr.Hykmete Bajrami, ministre e Tregtisë dhe e Industrisë së Kosovës, në fillim të fjalës së saj, theksoi se organizimi i këtij takimi është i mirëseardhur për promovimin e vlerave turistike të Kosovës, si dhe ofron mundësi për krijimin e rrjetëzimeve në mes të bizneseve kosovare dhe të atyre austriake. Në këtë kuadër shkëmbimi i përvojave dhe përfitimeve nga modeli austriak për promovimin e turizmit, është i një rëndësie të veçantë për zhvillimin e turizmit në Kosovë, tha ministrja.

Ministrja po ashtu  theksoi se Qeveria e Kosovës e konsideron turizmin si një nga mundësitë për zhvillimin e vendit, i cili ofron kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të punës, zhvillimin rajonal dhe lokal, përmirëson standardin jetësor të qytetarëve të Kosovës dhe integron natyrën, kulturën, historinë, gastronominë dhe mikpritjen tradicionale në mënyrë kreative të bazuar në përvojën ekonomike dhe mënyrat inovative.

“Sipas të dhënave statistikore të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, janë rreth 20,000 persona të punësuar në sektorin e akomodimit dhe ushqimit, që përfaqësojnë mbi 5% të të gjithë personave të punësuar në Kosovë”, tha ministrja Bajrami.


Ministrja e MTI-së po ashtu ka thënë se turizmi, pa mëdyshje është një sektor i rëndësishëm në Kosovë,  i cili jo vetëm krijon shumë shpejtë vende të punës, por është gjithashtu një mundësi për përmirësimin e imazhit të Kosovës si shteti më i ri në Evropë, imazh i ndryshëm nga ai i cili paraqitet në media dhe që korrespondon në mënyrë autentike me karakteristikat specifike dhe asetet unike të Kosovës.

Kosova është aktualisht e njohur në skenën ndërkombëtar për turizëm natyror, me aktivitete në natyrë  – Majat e Ballkanit, në rajonin e Pejës ose në Bjeshkët e Sharrit, trashëgiminë kulturore,  monumente fetare të fesë myslimane, katolike dhe ortodokse, si dhe e njohur për kulturën, diversitetin etnik dhe ngjarjet kulturore si Dokufest-i, shtoi ministrja Bajrami.

Ministrja Bajrami, po ashtu theksoi se Qeveria e Kosovës po punon në ngritjen e kapaciteteve njerëzore në fushën e turizmit, në mënyrë që të vazhdohet me ofrimin e shërbimeve cilësore, si dhe hartimin e politikave për promovimin e turizmit vendor.


“Është hartuar Plani zhvillimor në sektorin e turizmit i cili është në fazën finale. Synimi ynë është që deri në vitin 2020, sektori i turizmit të marrë pjesë në GDP me 7-8 %”, tha ministrja Hykmete Bajrami, duke shtuar se është filluar me rishikimin e legjislacionit në fuqi, në mënyrë që të krijohet një ambient më i përshtatshëm për sektorin privat.

Ministrja e MTI-së, me këtë rast i ka bërë thirrje operatorëve turistik kosovar që të orientojnë lëvizjet turistike dhe krijimin e ofertave, në prurjen e turistëve nga vendet tjera në Kosovë si dhe ofrimin e paketave brenda Kosovës për vendorët, dhe të mos fokusohen vetëm në ofertat për vizita jashtë vendit.

Ndërsa, Baki Hoti, drejtor i Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me ndonjë organizatë të promovimit të turizmit nëpër rajon.

Turizmi është pasurimi i çdo shteti, dhe ne duhet t’i bashkojmë të gjithë akterët e turizmit në mënyrë që promovimi të ketë sukses, theksoi z. Hoti.


Çështje tjetër që z.Hoti konsideron të rëndësishme është edhe stafi profesional që do të merret me këto punë. Ai tha gjithashtu se duhet të kihen parasysh disa çështje, si definimi i vendeve që janë atraktive, vlerësimi për profesionalitetin e stafit, ciceronët profesionistë që do të orientonin turistët e shumë çështje të tjera.

Në turizëm duhet punuar bashkërisht në mënyrë që të kemi sukses, tha ai.

Në vazhdim Sigrid Mayer e konsideroi të rëndësishëm promovimin e produkteve vendore, të reja e atraktive, si dhe vendeve turistike.

“Kosova ka shumë vende turistike që të gjithë do të kishin pasur dëshirë t’i vizitojnë, siç janë Graçanica, Malet e Sharrit, Boga në Pejë, Kalaja e Prizrenit, Gjakova, por edhe në sektorin kulturor është i njohur organizimi i Dokufestit në Prizren”, tha Sigrid Mayer.

Ekrem Hyseni nga GIZ theksoi se turizmi është si një shtyllë kryesore që lidh shumë sektorë të tjerë, duke filluar nga zhvillimi i bujqësisë, pjesën e blegtorisë, të hotelerisë e të transportit. Hyseni tha se turizmi është një akter kryesor që ndërlidh të gjitha pjesët e tjera dhe është një shtyllë kyçe për zhvillimin e shtetit. Ai tha se sektori i turizmit ndikon edhe në rritjen e punësimit, por tërhoqi vërejtjen se Kosovë ka mungesë të kuadrove në sektorët e turizmit qoftë në atë të hotelerisë po edhe të agjencive turistike.


Visar Kelmendi, ekspert i turizmit në USAD dhe përfaqësues i projektit EMPOWER, një projekt 5-vjeçar i cili zhvillohet në pesë sektorë të ekonomisë së Kosovës, ku hyn edhe turizmi, tha se në kuadër të këtij projekti kanë bërë një analizë dhe kanë vendosur të punojmë në tri rrafshe, në rrafshin e zhvillimit të kapaciteteve njerëzore, në zhvillimin e infrastrukturës fizike si dhe në promovimin e produkteve të turizmit të Kosovës.

Ai gjithashtu përmendi edhe pjesën e trajnimeve që po mbahen shumë shpesh, duke ndikuar kështu në ngritjen e kapacitetit në fushën e turizmit.

Kelmendi ndër të tjera theksoi se janë duke punuar në infrastrukturën fizike në bashkëpunim me Federatën e Bjeshkatarëve Alpine të Kosovës dhe gjatë këtyre ditëve janë duke zhvilluar shtigjet në Bjeshkët e Nemuna si dhe në Sharr.

“Kemi zhvilluar rreth 90 km shtigje në bjeshkë, sidomos në ato të Rugovës, tashmë filluam edhe në Sharr dhe ky është lajm i mirë për turizmin në atë pjesë”, tha Kelmendi.

Ndërsa Andreas Wormsev, menaxher i hotelit “Graçanica”, duke folur për veprimtarinë e hoteleve, bëri të ditur se hoteli “Graçanica” është i vetmi i këtij lloji në këtë zonë të Prishtinës që është i hapur për turistët. Ndërkohë, sipas tij, ajo çka mund të ndikojë në rritjen e numrit të turistëve në Kosovë, janë ngjarjet e ndryshme që tërheqin edhe vëmendjen e turistëve të huaj.

“Organizimi i ngjarjeve me karakter ndërkombëtar siç është Dokufesti sjell edhe vizitorë të huaj dhe e gjithë kjo ndikon drejtpërdrejt pozitivisht në këtë sektor, mirëpo ngjarje të tilla nuk organizohen shumë në Prishtinë për shkak të fondeve dhe kjo po ashtu po ndikon në numër të vogël të turistëve në këtë pjesë”, tha Ëormsev.

Agron Gashi nga “Raiffeisen Bank” tha se të gjitha bankat në këtë drejtim janë duke u munduar të ecin në trend me digjitalizimin dhe duke pasur parasysh këtë edhe turizmi global është në hap të drejtë me teknologjinë.

“Viti 2015 rezultoi me 40 për qind të transaksioneve të të hyrave që janë realizuar online në këtë sektor. Një hap i tillë si shembull po merret edhe nga turistët kosovarë”, tha Gashi. 

Shkumbin Brestovci nga komuniteti i IT-ve, foli për rolin e teknologjisë informative në shërbim të promovimit të turizmit.

Ai përmendi një varg investimesh në objekte të ndryshme të karakterit hotelier në Kosovë, të cilat mund të jenë pjesë e ofertës turistike.

Z.Brestovci theksoi nevojën e zgjerimit të ofertës turistike, në mënyrë që ajo të jetë më atraktive dhe më e gjithanshme.

Ndërkohë blogerja Larissa Aka, që ka bëtë shumë vizita dhe hulumtime në Kosovë dhe që tashmë është vendosur të jetojë në shtetin tonë, theksoi se ka mungesë të informacioneve për njerëzit që duan ta vizitojnë Kosovën, apo ai informacion është i shpërndarë dhe i zorshëm për ta gjetur.

 

Ajo theksoi nevojën e një pune të përbashkët në sektorin e turizmit, në mënyrë që informatat për ofertën turistike të Kosovës të jenë në një vend, për shembull në një platformë elektronike.


Alban Rafuna, përfaqësues i ueb-faqes BeInKosovo.com, tha se qëllimi kryesor i tyre është të mbledhin informata sa më shumë që është e mundur për komunitetin ndërkombëtar.

“BeInKosovo.com beson se turizmi duhet të jetë një prioritet në Kosovë, klientë apo ndërkombëtarët do ta vizitojnë shtetin tonë dhe pikërisht misioni kryesor i yni është të mbledhim informata për ndërkombëtarët, pra ata mund të shohin apo rezervojnë online hotelet”, tha Rafuna.

Skender Thaçi, pronar i hotel “Magra”, vlerësoi se shteti i Kosovës duhet të kontribuojë për këtë sektor përmes granteve, të zhvillojë e të promovojë turizmin. Ai gjithashtu apeloi tek mediat që të promovojnë zonat turistike të Kosovës, sepse ka shumë pasuri natyrore. Thaçi bëri të ditur se ekzistojnë katër institucione publike dhe private në vend që merren me edukimin dhe menaxhimin e këtij sektori dhe duhet të përgatiten kuadro për përfaqësimin e turizmit në mënyrë të duhur.   


Valbona Dushi, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, tha se janë duke punuar që turizmi në Kosovë të jetë një departament në vete.

“Kemi marrëveshje të shumta me Shqipërinë, mirëpo vërtet është nevoja që turizmi  të jetë sektor në vete”, u shpreh Dushi.

Baki Hoti, kryetar i shoqatës së Turizmit Alternativ, në një fjalë përmbyllëse në konferencë, theksoi se për zhvillimin e turizmit duhet një bashkëpunim i të gjitha institucioneve, duke nisur nga Qeveria, ministritë përkatëse, drejtoritë e institucionet e tjera.


Ai gjithashtu theksoi bashkëpunimin ndërkufitar si një element që ndikon në zhvillimin e turizmit, duke qenë të përfshira në paketat turistike të gjitha vendet e rajonit bashkërisht, mes tyre edhe Kosova, për të bërë më atraktive ofertën turistike për turistët e huaj.

 

Konferenca ndërkombëtare “Ditët Austriake-Kosovare të Turizmit 2015” i zhvillon punimet nesër në hotelin “Magra” në Bogë të Rugovës.