Kolegji UBT me plan strategjik, deri më 2025

21/07/2016

Rektori i Kolegjit UBT, prof. dr Edmond Hajrizi, ka vlerësuar se Kolegji UBT ka arritur pjekurinë e duhur në fushën e edukimit, trajnimit, kërkimit e zhvillimit. Sipas tij, ky institucion do të punojë akoma më tepër për t’u njohur ndërkombëtarisht për ekselencë. Ai e ka thënë këtë me rastin e prezantimit të strategjisë së punës së Kolegjit të UBT-së për 10 vitet e ardhshme, deri më 2025, në një takim ku merrnin pjesë profesorët dhe stafi tjetër i Kolegjit UBT.

“Ne jemi të përkushtuar për të qenë në nivel të lartë të edukimit të brezave të rinj dhe po punojmë me shumë vullnet, që të jemi përkrah universiteteve më të mira, sepse Kolegji UBT ka çfarë t’i ofrojë Kosovës e botës”, ka thënë Hajrizi.


Prezantimin e strategjisë UBT-2025 e bëri edhe eksperti gjerman i kësaj fushe, Giuseppe Strina. Ai me projektet e tij, ka çuar drejt rrugës për ekselencë dhjetëra universitete gjermane dhe botërore.


Strina tha se Kolegji UBT është në rrugën e arritjeve të mëdha. Sipas tij, këtë më së miri po e dëshmojnë rezultatet dhe sukseset e arritura, si dhe ndërtimet e vazhdueshme që po bëhen për zgjerimin e kapaciteteve të këtij institucioni. Vlerësoi se në çdo institucion edukativ e arsimor, gjithmonë ka vend për ndryshime e përmirësime. “Është shumë e nevojshme që Kolegji UBT t’i përcaktojë objektivat, që i ka për të ardhmen, si dhe t’i analizojë në mënyrë të detajuara pikat e veta të forta dhe ato më pak të forta”, theksoi Strina, teksa shfaqi bindjen që ky institucion do të vazhdojë të njihet për ekselencë, si dhe do të zgjerojë akoma më tepër bashkëpunimin me universitetet ndërkombëtare. 
“Në këtë mënyrë, Kolegji UBT do të zotohet t’i mbulojë dhe t’i zhvillojë vlerat e edukimit, kërkimit, inovacionit dhe ekselencës”, ka thënë eksperti Strina, teksa bashkë me rektorin prof.dr. Edmond Hajrizin, u janë përgjigjur interesimeve të stafit të Kolegji UBT.