Kohler e Makolli diskutuan me studentët e UBT-së

31/03/2012

 

Prishtinë,  31 mars 2012- Kryetari i komunës së Delemontit të kantonit Jura në Zvicër, z. Pierre Kohler, dhe ministri i Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, z. Ibrahim Makolli, kanë marrë pjesë në debatin e organizuar sot në UBT, në temën “Organizimi i sistemeve të kantoneve në Zvicër”.

Të pranishëm në debat ishin profesorë të UBT-së, studentë dhe të interesuar të tjerë, të cilët përcollën me interesim debatin.

 

Fillimisht, Presidenti i UBT-së, dr. Edmond Hajrizi përshëndeti mysafirët dhe i njoftoi me punën dhe organizimin e UBT-së, si dhe i falënderoi ata për pjesëmarrje në debat në UBT, një kolegj që ka traditë të gjatë në organizimin e debateve nga fusha të ndryshme, me interes për studentët dhe për opinionin e gjerë.

 

Duke folur para pjesëmarrësve në debat, z. Pierre Kohler i ka quajtur të rinjtë e Kosovës dhe studentët e UBT-së të pranishëm në takim, e tashmja dhe e ardhmja e vendit. Ai ka folur me fjalë miradije për shtetin e Kosovës, duke tërhequr vëmendjen se një shtet që ka përjetuar një luftë të tmerrshme, është normale që të ketë probleme në zhvillimin e tij, por me kalimin e kohës vendi do të zhvillohet dhe do të arrijë standardet e larta të zhvillimit dhe të përparimit.

 

Z. Kohler gjithashtu ka shpjeguar në hollësi organizimin shtetëror të Zvicrës, e cila është e organizuar në 23 kantone, të cilat kanë një autonomi të madhe të organizimit të pushtetit, por gjithnjë në suaza të ligjeve federale, të cilat rregullojnë organizimin në të gjitha segmentet e jetës.

 

Ai, por organizimit nga niveli federal deri ne niveli më i ulët, theksoi se të gjithë udhëheqësit janë të zgjedhur me vota të qytetarëve, të gjitha vendimet në të gjitha nivelet merren me konsensus të plotë, me gjithë diversitetet e shumta që e cilësojnë Zvicrën.

 

Gjithashtu, ai tha se të gjitha vendimet e rëndësishme për jetën e qytetarëve dhe për çështje me rëndësi merren edhe me referendum popullor, që është forma më e lartë e demokracisë dhe e marrjes së një vendimi që prej drejtpërdrejtë qytetarët.

 

Z. Kohler, që cilësohet një mik shumë i madh i shqiptarëve, ka folur edhe për organizimin dhe integrimin e shqiptarëve në të gjitha fushat e jetës në Zvicër. Ai foli me fjalë shumë të zgjedhura për punën, organizimin dhe kontributin e shqiptarëve përgjithësisht në kantonin e Juras, si dhe në shtetin e Zvicrës në përgjithësi. Z. Kohler po kështu tha se komuniteti shqiptar që jeton në Zvicër është një urë shumë e mirë lidhëse në miqësinë dhe bashkëpunimin shumë të mirë që ka shteti i Zvicrës me Republikën e Kosovës, një bashkëpunim ky i dëshmuar dhe që ka dhënë rezultate të dukshme në shumë fusha.

 

Ministri i Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, z.Ibrahim Makolli, foli në debat për kontributin e madh që ka dhënë dhe po jep në vazhdimësi shteti i Zvicrës për Kosovën, duke qenë një nga shtetet e para që ka dhënë viza në Prishtinë për qytetarët e Kosovës, duke qenë një nga shtetet e para që është deklaruar se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur dhe një nga shtetet e para që e ka njohur Republikën e Kosovës.

 

z. Makolli po kështu përkujtoi se Zvicra është një nga vendet që ka investuar më së shumti në Kosovë, si dhe ka dhënë kontributin e saj duke qenë pjesë e misioneve ndërkombëtare në Kosovë.

 

Një theks të veçantë ministri Makolli e vuri te komuniteti kosovar në Zvicër, i cili numëron mbi 230 mijë qytetarë. Ai theksoi se ky komunitet jep një kontribut të madh për Zvicrën, por edhe për vendlindjen, si dhe për lidhjet mes të dy shteteve.

 

Ministri Makolli theksoi tendencën që gjithnjë e më shumë të rinj me prejardhje nga Kosova të ndjekin studimet dhe të përgatiten si kuadro akademike, dhe theksoi se ministria që ia drejton do të japë kontributin e saj në këtë drejtim.

Kryetari i komunës së Delemontit të kantonit Jura në Zvicër, z. Pierre Kohler, dhe ministri i Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, z.Ibrahim Makolli, zhvilluan u përgjigjën në vijim të debatit edhe në një varg pyetjesh e çështjesh të shtruara për diskutim nga pjesëmarrësit, profesorët dhe studentët e UBT-së.