Klarinetisti Jeremy Reynolds zhvilloi masterklasë me studentët e muzikës në UBT

23/11/2026

Me iniciativën e profesorit Blerim Emerllahu, Jeremy Reynolds, profesor i klarinetës në Lamont School of Music të Universitetit të Denverit, zhvilloi një masterklasë me studentët e drejtimit të klarinetës në programin Muzikë Moderne, Prodhim Digjital dhe Menaxhim Muzikor në UBT.

Masterklasa u përqendrua në teknikat bashkëkohore të interpretimit në klarinetë, duke trajtuar aspekte të rëndësishme të zhvillimit teknik dhe artistik të instrumentistëve. Përmes punës së drejtpërdrejtë me studentët, Reynolds prezantoi qasje dhe mundësi të ndryshme interpretimi, duke u ndalur në pasurimin e mjeteve shprehëse, kontrollin teknik dhe zgjerimin e potencialit artistik të instrumentit në muzikën bashkëkohore.

Gjatë takimit, Jeremy Reynolds prezantoi gjithashtu Lamont School of Music të Universitetit të Denverit, ku mban pozitën e profesorit të klarinetës. Përmes këtij prezantimi, studentët dhe stafi akademik i UBT-së patën mundësinë të njihen më nga afër me institucionin, programet dhe veprimtarinë e tij akademike e artistike, si dhe me mundësitë që ofron një shkollë e muzikës me profil ndërkombëtar. Ky prezantim krijoi një hapësirë të vlefshme informimi dhe shkëmbimi lidhur me arsimin e lartë muzikor dhe përvojat akademike ndërkombëtare.

Jeremy Reynolds është zëvendësklarinetist kryesor në Orkestrën Filarmonike të Colorado Springs dhe profesor i klarinetës në Lamont School of Music të Universitetit të Denverit, në SHBA. Gjatë karrierës së tij ka interpretuar në gjashtë kontinente si solist dhe muzikant i muzikës kamertale, ndërsa në vitin 2015 debutoi në Carnegie Hall me ansamblin Waldland.

Përvoja e tij pedagogjike përfshin institucione të njohura ndërkombëtare, ndër të cilat Akademia e Muzikës dhe Teatrit në Estoni, Akademia e Muzikës Grieg, Akademia e Arteve Performuese në Pragë, Universiteti Kombëtar i Seulit, Konservatori i Versajës dhe Konservatori i Muzikës në Sidnei.

Organizimi i këtij masterklasi dhe prezantimi i Lamont School of Music dëshmojnë përkushtimin e UBT-së për të krijuar mundësi të bashkëpunimit me artistë dhe pedagogë ndërkombëtarë, duke pasuruar përvojën akademike dhe profesionale të studentëve përmes shkëmbimit të njohurive, përvojave dhe praktikave bashkëkohore në fushën e interpretimit dhe edukimit muzikor.