Hapet edicioni i dytë i Javës së Artit dhe Dizajnit në UBT

02/06/2025

Në UBT u bë hapja zyrtare e edicionit të dytë të Javës së Artit dhe Dizajnit. Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dekania e Fakultetit të Artit dhe Dizajnit, Ariana Gjoni, përfaqësues të departamenteve të ndryshme, profesorë, studentë dhe mysafirë të shumtë nga fusha e artit dhe kulturës.

Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti për zhvillimin dhe promovimin e artit në nivel lokal dhe ndërkombëtar. Ai u shpreh se “Java e Artit dhe Dizajnit është një mundësi për të nxitur dialogun krijues ndërmjet artistëve, studentëve dhe profesionistëve, duke përkrahur inovacionin dhe pasionin për artin në çdo formë. Kjo iniciativë ndihmon në ngritjen e një platforme të fuqishme, që bashkon kulturën, teknologjinë dhe edukimin”.

Ndërkaq, dekania Gjoni falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe theksoi se “Fakulteti i Artit dhe Dizajnit në UBT është i përkushtuar për të ofruar një ambient ku talenti dhe kreativiteti fuqizohen. Java e Artit dhe Dizajnit sjell së bashku studentët dhe ekspertët nga fushat e ndryshme të artit, për të krijuar një dialog të gjallë dhe frymëzues për të ardhmen e artit dhe kulturës në vendin tonë”.

Ky aktivitet i organizuar nga Fakulteti i Artit dhe Dizajnit në UBT përfshin departamentet e Dizajnit të Integruar, Artit dhe Medias Digjitale, Aktrimit dhe Muzikës Moderne, Prodhimit Digjital dhe Menaxhimit. Java e Artit dhe Dizajnit përbëhet nga një program i pasur me ekspozita, punëtori kreative, performanca muzikore dhe diskutime të hapura që synojnë kultivimin dhe mbështetjen e krijimit të një rrjeti të gjerë lokal dhe global të krijuesve dhe profesionistëve të artit.

Ngjarja synon të nxisë bashkëpunimin ndërdisiplinor dhe të frymëzojë studentët dhe profesionistët për të eksploruar mundësi të reja në fushën e artit dhe dizajnit, duke forcuar lidhjet mes komuniteteve artistike dhe akademike.

Java e Artit dhe Dizajnit do të vazhdojë për disa ditë me aktivitete të ndryshme, duke sjellë në fokus inovacionin, traditën dhe diversitetin e kulturës bashkëkohore.