Hajrizi: Kosova me perspektivë zhvillimi – duhet përkushtim në punë

06/04/2016

Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, ka vlerësuar se Kosova ofron kushte të mira për zhvillim ekonomik dhe punësim, por sipas tij, duhet pasur vullnet  e përkushtim për punë e kreativitet. Ai e ka thënë këtë në Konferencën “Dita Austriake-Kosovare e Ekonomisë”, organizuar nga UBT, Shoqata Austriake- Kosovare dhe Instituti liberal për hulumtim të politikave, të mërkurën.


“UBT-ja po mundohet që përmes kuadrove të reja të krijojë hapësirë për zhvillimin e tregut të lirë dhe mjedis ku studentët mund t’i shprehin me përkushtim aftësitë e tyre”, shtoi Hajrizi. Ai përmendi përvojën e tij personale, duke treguar se ka nënshtetësi austriake, por ka vendosur  që të kthehet në Kosovë e të japë kontributin dhe përvojën e tij të  fituar në Austri. “Vendi ynë ka nevojë për kuadro që kanë nivel të lartë të shkollimit”, vijoi ai. Hajrizi u shpreh se çdokush që ka nivelin e duhur të arsimimit e ka më lehtë të përballet me problemin e punësimit, por sipas tij, Kosova ka shumë të diplomuar, por jo të tillë që janë në gjendje ta kryejnë punën si duhet. “Nëse ju bëheni të mirë, jo vetëm që do të gjeni punë, por edhe do të kërkoheni nga të gjithë”, u tha Hajrizi studentëve.

Referuesi në konferencë, drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Armend Kelmendi,  tha se Kosova është bërë pjesë e ekonomisë së tregut botëror dhe kjo i ka ndihmuar edhe bizneset kosovare që të kenë përfitime.

“Qeveria po punon vazhdimisht që t’ua lehtësojë punën ndërmarrjeve në Kosovë”, shtoi ai, duke treguar se ata po i luftojnë të gjitha dukuritë negative që e pengojnë zhvillimin ekonomik, duke vënë theks të veçantë tek  konkurrenca jolojale dhe ekonomia joformale. “Ekonomia joformale është kanceri i ekonomisë kosovare”, theksoi ai. Barbara Koln, presidente e reformave ekonomike austriake tregoi historinë e zhvillimit ekonomik të Austrisë dhe vendeve më të zhvilluara të botës, që dikur përballeshin me probleme të mëdha në rrafshin ekonomik.

“Austria ka tejkaluar shumë kriza dhe barriera ekonomike, por edhe përkundër kësaj, ajo ende nuk ka kaluar në sferën publike” tha ajo, duke treguar se edhe përkundër kësaj, austriakët  besojnë në tregun e lirë, gjithmonë, duke pasur parasysh respektimin e ligjit. Koln përmendi edhe skandalin e Panamasë  dhe mënyrën se si dhjetëra udhëheqës shtetërorë i kanë fshehur pasuritë dhe paratë, të cilat i kanë fituar në mënyrë të jashtëligjshme, gjithmonë duke tentuar t’u ikin pagesave tatimore, veprim të cilin ajo e quan shumë të gabuar. 

“Unë jam pro taksave, sepse ato sigurojnë efektivitetin ekonomik në shoqëri, por duhet pasur parasysh që taksat e larta e pamundësojnë lindjen e konkurrencës dhe zhvillimit ekonomik”, u shpreh Koln.

Michael Williams, udhëheqës i Programit për krijimin e lidershipit të ri në politikë  nga Kolorado e SHBA-së, ka thënë se baza kryesore e zhvillimit ekonomik është kapitalizmi, ndonëse shumica e njerëzve duke mos e kuptuar rolin e tij, e luftojnë në të gjitha format. “Kapitalizmi është veprim i domosdoshëm  ekonomik, sepse ndikon vazhdimisht në rritjen e standardit të jetesës”. Ai përmendi edhe nevojën e reduktimit të taksave, me qëllim që të arrihet një perspektivë më e madhe në zhvillimin shoqëror. “Është përgjegjësi personale që njerëzit të marrin iniciativa për të përmirësuar jetën e tyre”, theksoi Williams.

Sapnjollja, Maria Banco, ligjëruese në një universitet, ka thënë se gjithçka në ekonomi ka të bëjë me besimin, duke filluar nga shkëmbimi, e deri tek sjellja e shitësve dhe e blerësve. Banco vlerësoi se ndërmarrësit duhet të jenë revolucionarët që bëjnë ndryshime, mirëpo gjithmonë duke qenë të pavarur nga sistemi politik.

Armend Muja, ligjërues në UBT tha se Kosova i ka të gjitha kapacitetet për t’u zhvilluar ekonomikisht, por sipas tij, shoqëria duhet të krijojë kushte më të mira për investitorët e huaj dhe ata vendorë.

Duke iu referuar valës së largimit të qytetarëve nga Kosova, Muja tha se ka zhvilluar një studim për t’i gjetur shkaqet dhe arsyet e ikjes. Ai shpjegoi se njerëzit kanë tentuar të largohen si pasojë e papunësisë, resurseve të kufizuara dhe presionit demografik. Sipas tij, për të pasur një ekonomi të  zhvilluar, Kosova duhet të lëvizë nga prodhimi i lëndës së parë, në gjysmëprocesim dhe procesim.

 

Konferenca i mbylli punimet pas një debati referues – të pranishëm, ku u diskutuan çështjet e ekonomisë së tregut të lirë.