Hajrizi: Kosova kishte nevojë për dije evropiane e amerikane – e sollëm me UBT-në

04/01/2017

Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, në një intervistë  për “Radio Campus” rrëfen për motivin dhe arsyet e themelimit të UBT-së, këtu e 15 – vjet më parë. Si arsye të parë ai përmend vështirësitë arsimore në Kosovë, menjëherë pas përfundimit të luftës.


“Kemi filluar më 2001, kur isha kthyer nga Austria në pushim vere. Tashmë kisha përfunduar studimet e doktoratës në Austri dhe po punoja në të njëjtin universitet”, ka thënë rektori, sipas të cilit, kur është kthyer në Kosovë, ka vërejtur se ky shtet i ri ka shumë nevojë për dije, për çfarë duhej kontribuar secili.


Ai, përvojën e tij nga studimet dhe mësimdhënia në Universitetin e Vjenës e solli dhe po e zbaton në Kosovë.

Rektori Hajrizi tregon se para 15 viteve themeloi Institutin për menaxhim të Ndërrmarrjeve dhe Inxhiniering (IEME) , i cili u themelua si institut profesional për ofrimin e edukimit, trajnimeve , hulumtimeve dhe konsultimeve në fusha të ndryshme të biznesit dhe të teknologjisë.


“Ishim të mbyllur në komunikim të jashtëm. Kosova nuk ishte e lidhur me zhvillimet. Në atë kohë erdhi interneti, një ndryshim që neve na gjeti të papërgatitur. Mendova që mund të japë kontribut në transferim të dijes dhe të teknologjisë, që të përmirësonim gjendjen”, vijoi rektori, me rrëfimin se menjëherë ka filluar të organizojë konferenca ndërkombëtare, që biznesmenët t’i dërgojë jashtë vendit për trajnime e shkëmbim përvojash.

Pas themelimit të Institutit filluan studimet master. Në fillim kishte vetëm 28 studentë, kurse 15 vjet pas ka rreth 20 mijë, me rritje të vazhdueshme – 3000 të regjistruar brenda vitit. UBT ka filluar punën pa ndonjë zyrë, ndërsa sot ka një infrastrukturë moderne, ajo në rritje ka vazhduar gradualisht.


UBT pas 15 viteve të punës ka 1000 punëtorë, staf administrativ dhe akademik. “Programi master ka qenë programi për teknologji, i bazuar në programin e Vjenës dhe universitetit të OHAIOS të SHBA. Dëshirova shumë që këtë program ta sjellim në Kosovë. I tërë programi ishte në gjuhën angleze edhe profesorët ishin të huaj”, tregon rektori Hajrizi.


Ai shton se UBT ka arritur rezultate të lakmueshme në shumë fusha dhe se përveç qëllimit primar që është edukimi i kuadrove të reja, UBT ka qenë ambasadore e Kosovës jashtë vendit, duke e anëtarësuar vendin në shumë institucione ndërkombëtare, duke qenë e para në rajon.


Rektori Hajrizi u pozicionua në teknologji dhe biznes për të vetmin qëllim që të krijojë kuadro të reja me perspektivë të veçantë dhe të ndryshojë pikëpamjen për biznesin.


“Dhe ne, faktikisht themelimin e bëmë në kohën kur Evropa tentonte çdoherë të themelonte institute për teknologji. Në shkollat e biznesit në universitete amerikane pashë që kishin një qasje mjaft të respektueshme, një qasje që ti do të jesh një lider i suksesshëm. Biznesi nuk duhet shikuar si diçka private, jo një interes i veçantë sa për vete. Ti duhet të punosh, të krijosh e të gjenerosh vlera. E, ai gjenerim në një ndërmarrësi me përgjegjësi quhet biznes”, thotë rektori Hajrizi.


Rektori ishte i fokusuar që në UBT të sillte më të mirën. Angazhoi më shumë se 300 profesorë dhe ekspertë nga të gjitha anët e botës. Krijoi bashkëpunim me mbi 200 universitete dhe institucione partnere me renome botërore.


“Ne kemi filluar me profesorë ndërkombëtarë dhe kemi dashur që të sjellim përvoja që ekzistojnë në botë. Ne duam që Kosova të integrohet sa më shpejtë në botë. Në mënyrë që ne të eliminojmë paragjykimet, sepse atë ndjenjë e kam përfituar vetë kur kam shkuar në Austri, kështu që 5-6 vjet kemi zhvilluar mësimin me 90 për qind të profesorëve ndërkombëtarë”, tregon Hajrizi për të shtuar se është ndjenjë e mirë “që kemi krijuar një sistem modern të arsimit të lartë në Kosovë, që i përmbush praktikat ndërkombëtare”.


“Kosova është një vend në transicion, ku mungojnë shumë gjëra. Dhe në këtë atmosferë ne kemi krijuar diçka nga asgjë dhe kemi krijuar që brenda 15 viteve të krijojmë shembull. Përkundër ambientit të vështirë kemi arritur të ndërtojmë UBT-në. Nga një ide, nga një dëshirë për të kontribuar kemi arritur shumë”, ka vijuar Hajrizi, derisa ka shtuar se është shumë domethënëse për të rinjtë, që, nëse duan mund të angazhohen dhe të kensh suksese.


UBT ka shkallë shumë të lartë të punësimit të të diplomuarve. 
Rektori tregon se të diplomuarit në këtë institucion e kanë gjetur shpejt veten në tregun e punës.

“Ne kemi një punësim shumë të lartë të të diplomuarve. Një element tjetër janë degët gjithherë të reja, jo kopje, por diçka alternative. UBT është rritur falë rrjedhës që krijohet nga vetë studentët dhe stafi i tij.


Çdo vit kemi rritje të theksuar të studentëve dhe stafit. Ne i falënderojmë për besimin. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm që duhet të punojmë, që të fitojmë kompetenca të mirëfillta tek këta studentë”, shton rektori Hajrizi, sipas të cilit UBT nuk u ikë problemeve që ka shoqëria kosovare, por mundohet t’i zgjidhë ato, në të gjitha mënyrat.


 

“Përveç kësaj, e veçanta në këtë 15-vjetor është një qasje proaktive me problemet që ka shoqëria. Kemi ofruar mbështetje komunave në studimet e fizibilitetit për zonat ekonomike. Ne kemi bërë analiza, publikime e konsultime për t’i ndihmuar vendimmarrjeve tona, qoftë në nivel lokal, qoftë në nivel qendror. Ne kemi një kompetencë proaktiviteti institucional, që nuk është shumë i njohur në Kosovë”, ka përfunduar Hajrizi.