BETA

Flaka Syla e UBT-së, pjesë e Anhalt University of Applied Sciences

12/10/2018

Studentja e Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, Flaka Syla tash e tutje do të vazhdojë ngritjen e saj akademike në universitetin e njohur gjerman, Anhalt University of Applied Sciences, ku tashmë kanë nisur studimet edhe dhjetëra studentë të tjerë të UBT-së.

 

Flaka tha se ka marrë vendim për të studiuar në UBT sepse ka besuar në ndërkombëtarizimin institucional dhe se kjo do i ndihmonte asaj që, përpos njohurive të fituara gjatë studimeve në Kosovë, të përjetonte edhe ndjenjën e të studiuarit në një vend evropian.

“Një nga përparësitë kryesore që kisha parasysh gjatë përzgjedhjes së institucionit ku doja të ndiqja studimet fillestare për arkitekturë ishte edhe mundësia për shkëmbim njohurish me universitete ndërkombëtare. UBT e mundëson këtë, andaj u lehtësuan tërësisht procedurat si në aplikim, ashtu edhe në përzgjedhje të lëndëve për shkak të planprogramit të ngjashëm që e kanë të dy institucionet”, tregoi ajo.

 

Ajo vlerëson se Kosova ka nevojë për arkitektë profesionistë, andaj synon që të kthehet në vendlindje për të vënë në funksion praktik të gjitha dijet e fituara në UBT dhe në Anhalt University.

 

Pranimi në këtë universitet gjerman nuk është suksesi i vetëm i Flakës. Gjatë dy viteve të para të studimeve në UBT, ajo ka marrë pjesë nëpër punëtori të ndryshme për arkitekturë, si dhe disa nga punimet e saj kanë qenë pjesë e ekspozitave studentore të fakultetit.