Filmi i shkurtër i profesorit të UBT-së, Alban Muja, nominohet për Çmimet Evropiane të Filmit

09/06/2025

Një tjetër sukses i rëndësishëm për kinematografinë kosovare në arenën ndërkombëtare. Filmi i shkurtër “I Believe the Portrait Saved Me” me regji të profesorit të UBT-së, Alban Muja, është nominuar për Çmimet Evropiane të Filmit (European Film Awards) nga juria e Festivalit të Filmit të Shkurtër në Hamburg.

Filmi, i cili pati premierën botërore në Berlinale, trajton në mënyrë të ndjerë dhe artistike fuqinë e kujtesës, identitetit dhe simbolikës së portretit si një formë shpëtimi në situata ekstreme. Ai është prodhuar nga 038STUDIO në bashkëprodhim me AsfaltFilms dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Nominimi për EFA konsiderohet një ndër vlerësimet më të larta në fushën e filmit evropian, dhe përbën një njohje të drejtpërdrejtë të cilësisë dhe origjinalitetit që sjell ky projekt filmik.

Alban Muja, përveçse regjisor i filmit, është edhe artist i njohur ndërkombëtarisht dhe ligjërues në Fakultetin e Artit dhe Dizajnit në UBT. Në karrierën e tij shumëvjeçare, ai ka prezantuar veprat e tij në bienalet dhe ekspozitat më të njohura të artit bashkëkohor, ndërsa kjo vepër e fundit shënon edhe një përkushtim të tij në format filmike të rrëfimit.

“I Believe the Portrait Saved Me” vjen si një dëshmi e fuqisë së tregimeve personale që tejkalojnë kufijtë gjeografikë dhe kulturorë, duke e pozicionuar edhe një herë Kosovën në hartën e krijimtarisë filmike evropiane.