Fillon viti i ri akademik 2018-2019 në nivelin master në UBT

19/11/2018

Qindra studentë që përfunduan me sukses studimet themelore, e që janë regjistruar në nivelin master në të gjitha fakultetet në UBT, zyrtarisht kanë nisur vitin e ri akademik 2018-2019, me mbajtjen e ligjëratave në programet që ata kanë zgjedhur.

 

Në ditën e parë të studimeve, studentët e rinj u njoftuan lidhur me mundësitë që ofrohen gjatë studimeve, stafin akademik të  përbërë nga profesorë vendorë e ndërkombëtarë dhe me infrastrukturën e sofistikuar që gjendet në UBT.

 

Drejtori për Çështje Akademike në UBT, dr Muhamet Ahmeti tha se institucioni ka bërë të gjitha përgatitjet për të nisur vitin e ri akademik me mbarëvajtje të rregullt, ndërkaq shtoi se edhe stafi akademik do të angazhohet dhe do të punojë bashkërisht me studentët për arritjen e rezultateve maksimale në profilet përkatëse.

“Studimet e nivelit master do të tejkalojnë pritshmëritë e studentëve për ngritje në karrierë.

UBT është institucioni që ka marrëveshje bashkëpunimi me qindra partnerë nga e gjithë bota dhe ku studentët përfitojnë njohuri dhe shkathtësi në teknologjinë moderne”, tregoi ai.

Në pritjen e studentëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Planifikimit Hapësinor, në UBT, prodekani i këtij fakulteti, dr Visar Krelani i informoi ata me mënyrën e qasjes në sistemin online të institucionit, përfshirë SMIS-in dhe Moodle.

“UBT vazhdimisht është angazhuar që së bashku me stafin të arrihen rezultate maksimale, gjë që konfirmohet me anë të studentëve të deritashëm, ku falë profesionalizmit të tyre, ata janë angazhuar në kompanitë më të rëndësishme në Kosovë, dhe jo vetëm”, tha Krelani.

Studentët në UBT studiojnë me planprograme të ngjashme me ato që janë zhvilluar në universitetet më të njohura të botës, andaj edhe studentët që dalin të diplomuar nga UBT janë të përgatitur maksimalisht për tregun e punës, përfshirë edhe atë ndërkombëtar.