Fillon ANV-ja e Shkencave të Ushqimit në UBT

19/07/2018

Nisi punimet Akademia Ndërkombëtare Verore e Shkencave të Ushqimi, shkollë kjo e cila që në ditën e parë mblodhi një numër të madh pjesëmarrësish.

Hapjen e ANV-së e bëri rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, i cili para pjesëmarrësve tregoi se UBT i kushton shumë vëmendje rëndësisë së teknologjisë, ushqimit dhe mbi të gjitha njeriut, teksa tregoi se UBT është duke punuar shumë rreth këtyre aspekteve. 
“Ne vazhdimisht jemi duke punuar në sigurimin e sa më shumë mjeteve të reja infrastrukturore për vitin e ardhshëm tek pjesa e procesimit e ruajtjes së ushqimit. Ne jemi duke krijuar laboratorë shtesë që studentët të punojnë sa më shumë dhe jemi duke krijuar kompetencë profesionale së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë në këtë fushë”, tha Hajrizi.

Në ligjëratën hyrëse, dietologia, Vala Pupovci trajtoi temën e “ Kequshqyeshmëria e popullsisë, nevoja për ndryshim.”
Ajo shtjelloi problemet të cilat vijnë nga kequshqyerja, si dhe tregoi edhe për llojet e ushqimeve të cilat janë më të dobishme për organizmin e njeriut.

Ndërsa pjesa e dytë e ditës vazhdoi me ligjërimin e profesoreshës në UBT, dr. Pranvera Ibrahimi, me temën “Intoleranca në ushqim”.
Ajo studentëve u tregoi dallimet mes alergjisë dhe intolerancës dhe ndikimin që e kanë në organizmin e njeriut.

Në ditën e nesërme pjesëmarrësit e ANV-së do të vizitojnë qytetin e Vushtrrisë dhe të Malishevës, ku do të shohin më nga afër punën që kryhet gjatë procesimit të ushqimit..