Fillon Akademia Verore e Gjuhës Angleze në UBT – Tre ditë me dije, praktikë dhe kulturë

16/07/2025

Departamenti i Anglishtes në UBT ka nisur zyrtarisht Lingua Summer Academy 2025, në ambientet e kampusit inovativ të UBT-së, si pjesë përbërëse e Global UBT Fest 2025, një nga ngjarjet më të rëndësishme akademike e kulturore në vend.

Në ceremoninë hapëse, Dekania e Fakultetit të Gjuhës Angleze, Prof. Dr. Alma Lama, theksoi rëndësinë e kësaj akademie verore, e cila për tre ditë me radhë do të shërbejë si një platformë ndërveprimi për studentët, profesorët dhe profesionistët nga fusha të ndryshme. Ajo vlerësoi se Lingua Summer Academy është një hapësirë ku përvijohen ide të reja, forcohen kompetenca dhe nxiset kreativiteti.

Gjatë këtij edicioni, pjesëmarrësit do të angazhohen në aktivitete që përfshijnë:

  • Kërkime shkencore në fushën e gjuhës, arsimit dhe komunikimit,
  • Praktika moderne të mësimdhënies dhe metodologjive bashkëkohore,
  • Zhvillimin e kompetencave gjuhësore dhe profesionale të domosdoshme për tregun e sotëm global.

Programi i ditëve në vijim do të jetë i pasur dhe interaktiv, ku veçohen:

  • Prezantime nga studentët e vitit të tretë mbi mikrotezat e tyre kërkimore,
  • Sesione dhe trajnime mbi metodologjinë e mësimdhënies dhe hartimin e projekteve inovative,
  • Punëtori praktike, debate akademike dhe aktivitete kulturore që pasurojnë eksperiencën e pjesëmarrësve.

Organizatorët ftojnë të gjithë studentët, akademikët dhe të interesuarit të bëhen pjesë e këtij rrugëtimi unik, që jo vetëm forcon dijen profesionale, por edhe nxit frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar.