Fakulteti i Ndërtimtarisë mbajti aktivitet për nder të 20-vjetorit të themelimit të UBT-së

20/12/2021

Në vazhdën e aktiviteteve për shënimin e 20-vjetorit të UBT-së, Fakulteti Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë ka mbajtur një aktivitet në të cilin së bashku me studentët e këtij fakulteti kanë parë nga afër të gjitha objektet e UBT-së, në Parkun Shkencor Inovativ në Lipjan.

 

Studentët janë njoftuar nga afër me punën dhe proceset të cilat duhet menaxhuar dhe udhëhequr, mënyrën e realizimit, si dhe detaje të tjera rreth objekteve të UBT-së, që nga faza fillestare e deri tek ajo përfundimtare, me të gjitha standardet dhe kushtet e nevojshme.

 

Në këtë aktivitet studentët realizuan edhe prova të materialeve ndërtimore në laboratorin e UBT-së i cili është i akredituar për këtë qëllim, i ndërlidhur me pjesën akademike dhe i pasuruar falë bashkëfinancimit me pajisje të fundit nga projekti Balkan Stone dhe projekti evropian Erasmus+.

 

Përmes këtij aktiviteti studentët janë njohur më shumë edhe me punën e tyre që do ta kenë në vazhdimësi të karrierës së tyre profesionale, duke e simuluar atë qysh në studimet akademike në UBT.

 

Aktivitetet e tilla janë duke u realizuar në prag të shënimit të 20-vjetorit të themelimit të njërit prej institucioneve më të mëdha të dijes në rajon, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në shkencë, teknologji dhe inovacion.