
Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Policia e Kosovës bashkë për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor
27/05/2025Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit në UBT organizoi një tryezë diskutimi me temë “Siguria në komunikacionin rrugor”, ku morën pjesë përfaqësues nga institucione të ndryshme, ekspertë dhe studentë.
Dekani Visar Krelani falenderoi të gjithë të pranishmit për angazhimin dhe interesimin ndaj kësaj teme kaq të rëndësishme për sigurinë e trafikut në Kosovë.
Ministri i Infrastrukturës, Milaim Ahmetaj, theksoi rëndësinë e përfshirjes së përmirësimit të infrastrukturës rrugore, edukimit dhe ndërgjegjësimit të drejtuesve të automjeteve si faktorë kyç për reduktimin e aksidenteve dhe u shpreh i hapur për diskutime dhe bashkëpunim të mëtejshëm.
Përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, Jeton Rexhepi, dha informacion mbi objektivat e Policisë në fushën e sigurisë rrugore, duke prezantuar planin vjetor dhe strategjinë pesëvjeçare të zbatimit të masave për parandalimin e aksidenteve. Sipas tij, gjatë vitit 2024 është vërejtur një rënie e aksidenteve, ndërsa në tremujorin e parë të vitit 2025 janë regjistruar më pak aksidente me fatalitete, megjithëse janë raportuar dëme materiale më të mëdha.
Profesor Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit nga UBT, foli për faktorët e rrezikut në komunikacion dhe nënvizoi nevojën që institucionet të angazhohen më shumë në organizimin e konferencave dhe projekteve kërkimore për sigurinë rrugore.
Astrit Zejnullahu nga Trafiku Urban dhe profesor Beni Gizolli theksuan rëndësinë e uljes së aksidenteve dhe organizimin e leksioneve të dedikuara për këtë temë, si dhe bashkëpunimin me institucionet për krijimin e politikave që garantojnë një mjedis urban më të sigurt.
Profesor Visar Baxhuku vuri në pah rëndësinë e pjesës së jetueshmërisë në sigurinë rrugore dhe ndikimin e transportit në stilin e jetës së qytetarëve. Ai prezantoi aplikime moderne si semaforët inteligjentë, njohjen automatike të distancës, sistemet e zgjeruara të parkimit dhe përdorimin e inteligjencës artificiale për zbatimin e ligjit në trafik.
Studentët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, bashkë me përfaqësues të Policisë së Kosovës, shpërndanë broshura vetëdijësuese për sigurinë në komunikacionin rrugor, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e sjelljeve të sigurta në trafikun rrugor.