
Enesa Hamiti, Menaxhere e Platformave Digjitale në Onima Co., ligjëron për strategjitë e monetizimit në përmbajtjen online
10/07/2025Në kuadër të Akademisë Verore të Fakultetit të Sistemeve të Informacionit në UBT, Enesa Hamiti, Menaxhere e Platformave Digjitale në Onima Co., mbajti një ligjëratë me titull: “Si të kthejmë klikimet në të ardhura: Sekretet e monetizimit në TikTok, YouTube, Spotify dhe më gjerë.”
Gjatë ligjëratës, ajo ndau me pjesëmarrësit strategjitë kyçe për të gjeneruar të ardhura nga përmbajtja digjitale, duke filluar nga ndërtimi i një marke personale të fortë përmes përmbajtjes autentike dhe ndërvepruese me audiencën.
Enesa theksoi rëndësinë e analizës së të dhënave për të identifikuar përmbajtjen me performancë të lartë, optimizimin e algoritmeve për një reach sa më të madh, si dhe ndërtimin e partneriteteve të duhura që sjellin të ardhura direkte – përmes sponsorizimeve, abonimeve dhe reklamave.
Ajo solli shembuj praktikë nga platforma të ndryshme, duke theksuar dallimin mes përmbajtjes që gjeneron klikime dhe asaj që gjeneron fitim real.
Ligjërata kulmoi me këshilla konkrete për krijuesit e ardhshëm të përmbajtjes: të planifikojnë publikimet në mënyrë të rregullt, të eksperimentojnë me formate të ndryshme (si Shorts, Reels apo formate episodike audio), si dhe të adoptojnë një qasje “ekosistemi” – ku një video mund të transformohet në podcast, playlist në Spotify, artikull blogu e shumë më tepër.
Ky sesion ofroi një pasqyrë të plotë dhe të qëndrueshme për ndërtimin e një karriere të suksesshme në fushën e përmbajtjes digjitale.