Elementet konstruktive dhe gjeoteknike të urave, të trajtuara në terren nga studentët e UBT-së
18/12/2025Studentët e nivelit Bachelor të programit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT realizuan një vizitë studimore në terren në kuadër të lëndëve “Urat” dhe “Gjeoteknika Inxhinierike”, me qëllim të ndërlidhjes së njohurive teorike me praktikën inxhinierike reale.

Vizita u zhvillua në intervalin kohor 13:00–14:30, në një urë rrugore funksionale në afërsi të UBT Dukagjini në Prishtinë, nën udhëheqjen e Prof. Arsim Rapuca, bartës i lëndës “Urat”, dhe Prof. Hysen Ahmeti, bartës i lëndës “Gjeoteknika Inxhinierike”.
Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte analizimi praktik i një objekti real inxhinierik, duke u fokusuar në elementet konstruktive dhe gjeoteknike të urave. Studentët patën mundësinë të njihen nga afër me strukturën e urës, mënyrën e projektimit dhe zgjidhjet teknike të aplikuara në ndërtim.
Ura e përzgjedhur u vlerësua si shembull shumë i përshtatshëm studimor, pasi ofron dukshmëri të plotë të elementeve të nënstrukturës dhe mbistrukturës, zgjidhje konstruktive moderne dhe komponentë të qartë gjeoteknikë dhe mbrojtës.
Gjatë vizitës, Prof. Arsim Rapuca realizoi një shpjegim të detajuar praktik për elementet kryesore të lëndës “Urat”, duke përfshirë: nënstrukturën, si: shtyllat bregore, shtyllat e mesit, themelet dhe krahët e urës; mbistrukturën, përfshirë mbajtësin kryesor të tipit tra–pllakë, trarët skajorë, shtresat izoluese dhe shtresat e asfaltit, etj.
Nga ana tjetër, Prof. Hysen Ahmeti trajtoi në mënyrë profesionale aspektet gjeoteknike që ndikojnë drejtpërdrejt në projektimin dhe stabilitetin e urave. Studentët u njohën me: funksionin e mureve mbrojtëse dhe rolin e tyre stabilizues; ndërveprimin strukturë–tokë; arsyetimin teknik të thellësisë së fondimit, etj.
Vizita studimore e realizuar u vlerësua si shumë e suksesshme dhe me vlerë të lartë akademike, duke përmbushur plotësisht objektivat e lëndëve Urat dhe Gjeoteknika Inxhinierike.

