Ekspertë dhe studentë së bashku për një akademi verore të suksesshme të ndërmarrësisë në UBT

10/07/2025

Me një sërë ngjarjesh dhe aktivitetesh të shumta, filloi puna e Akademisë Verore për Ndërmarrësi dhe Inovacion, një iniciativë e krijuar për të fuqizuar studentët me njohuri dhe aftësi praktike në fushat e ndërmarrësisë dhe inovacionit.

Hapjen zyrtare të kësaj akademie e bëri Prof. Kestrim Avdimetaj, i cili theksoi rëndësinë e përgatitjes së të rinjve për sfidat e një tregu gjithnjë e më dinamik dhe të pasigurt. Kjo akademi përfshin module të strukturuara me kujdes, që kombinojnë ligjërata akademike dhe profesionale me vizita në industri, duke ofruar një përvojë të pasur dhe gjithëpërfshirëse.

Në kuadër të akademisë, Dr. Syed Asif Mehdi nga Shri Ramswaroop Memorial University në Indi ligjëroi mbi rolin dhe rëndësinë e krijimit të ndërmarrjeve inovative, nga ideja deri te ndikimi. Ai ndau përvoja praktike dhe strategji të suksesshme për ndërtimin e ndërmarrjeve që nuk janë vetëm fitimprurëse, por gjithashtu adresojnë sfida reale, kontribuojnë në përmirësimin e jetës së njerëzve dhe rritjen ekonomike.

Ndërkohë, Prof. Gonxhe Beqiri trajtoi rëndësinë e SEO-së (optimizimi për motorët e kërkimit) dhe lidhjen e saj me marketingun e ndërmarrjeve. U shqyrtuan disa nga brendet e Kosovës në raport me marketingun përmes SEO-së, duke analizuar se cilat platforma dhe të dhëna duhet të shfrytëzohen për të targetuar konsumatorët potencialë, për të gjeneruar më shumë trafik organik, si dhe sa efektiv është përdorimi i fjalëve kyçe nga ana e tyre.

Ligjërata e Prof. Engelbert Zefaj ishte e fokusuar në Total Quality Management (TQM) dhe zbatimin e kësaj filozofie në Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM). Profesori u përqendrua në parimet kryesore të TQM-së dhe në veglat dhe teknikat për zbatimin e saj me sukses në një biznes. Përveç prezantimeve teorike, ai demonstroi zbatimin e Analizës Pareto 80/20, duke identifikuar problemet kyçe të një biznesi që pengojnë arritjen e cilësisë së plotë në prodhim.

Akademia Verore vazhdoi me ligjëratën tematike “Ndërmarrësia Sociale”, të udhëhequr nga Prof. Ermira Shehu. Para pjesëmarrësve u prezantua një pasqyrë e thelluar dhe praktike mbi ndërmarrësinë sociale si një model biznesi që shkon përtej fitimit dhe synon të krijojë ndikim të qëndrueshëm në komunitet. Në thelb të saj qëndrojnë inovacioni, qëllimi social dhe vetëqëndrueshmëria.

Nga industria, Lavdim Beqiri trajtoi ndikimin e teknologjisë dhe inovacionit në zhvillimin e ndërmarrjeve në Kosovë, përmes një rasti studimi mbi Dukagjini Group. Ndërsa nga Elkos Group, Driton Rrahmani ofroi një analizë praktike për pjesën e distribuimit dhe furnizimeve, si dhe ndikimin e teknologjisë në këto procese.