Ekspertë nga Holanda flasin për trajtimin e ujërave të zeza në industrinë e qumështit

14/02/2018

Në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, sot ka zhvilluar punimet punëtoria në kuadër të projektit “Ecodairy Kosovo”, e organizuar nga UBT dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara “van Hall/Larenstein” nga Holanda.

 

Pjesë e kësaj punëtorie ishin studentët dhe stafi i Fakultetit të Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë dhe ata të Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës, përfaqësues të qumështores “Bylmeti” dhe ekspertë të shumtë vendorë e ndërkombëtarë të kësaj fushe.

 

Punëtoria në fokus kishte trajtimin e cilësisë së qumështit të papërpunuar, trajtimin e hirrës, trajtimin e ujërave të zeza të industrisë së ushqimit dhe çështje tjera të ndërlidhura me to, teksa njohuri dhe shembuj praktikë për këtë fushë kanë dhënë ekspertët holandez, të cilët kanë bërë vlerësimin e situatës aktuale të këtyre fushave në Kosovë. 

 

Duke folur për cilësinë e qumështit në Kosovë, profesori në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Holandë, Sjaak van Burgsteden tha se prodhuesit kosovarë duhet t’i kushtojnë vëmendje përmirësimit të gjendjes aktuale të cilësisë, përmes zhvillimit të analizave dhe vizitave në teren.

 

Ai shtoi se prodhuesit e qumështit duhet të krijojnë kulturë të veprimit me qëllim të ngritjes së kualitetit të këtyre produkteve, teksa potencoi se rol të rëndësishëm luajnë edhe institucionet e arsimit të lartë, të cilat duhet të nxjerrin kuadro profesionale që i ndihmojnë industrisë së qumështit në aplikimin e praktikave botërore.

 

Koos de Vries, ligjërues në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Holandë, tha se qumështi është produkt strategjik dhe pjesë kryesore e konsumit ditor të qytetarëve, andaj si i tillë, si në shumë vende të botës, ky produkt duhet mbrohet me ligje dhe rregullore të veçanta.

 

Ai vlerësoi se përpunuesit e qumështit duhet të kenë kapacitete të mjaftueshme për të mbuluar kërkesën e tregut vendor, porse për këtë, duhet mbështetje edhe nga shteti.

 

Kjo punëtori është organizuar në kuadër të projektit “Ecodairy”, me qëllim të përmirësimit të performancës mjedisore të përpunuesve kosovarë të qumështit, duke prezantuar prodhimin e efektshëm dhe të pastër.

 

Projekti është bashkëfinancuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe parasheh, ndër tjerash, zhvillimin e një qendre ekspertize për të mbështetur industrinë e qumështit dhe sfidat me të cilat përballet.

 

Në Kosovë, sipas një raporti të nxjerrë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, importi më i madh i qumështit rezulton të jetë nga Sllovenia, teksa trendi i shtimit të importit ka filluar që nga viti 2005, duke shënuar vlerën më të madhe të importuar në vitin 2014.