Edukimi sportiv në nivele kampionësh – UBT dhe Qendra e Xhudos në bashkëpunim model

29/05/2025

Në kuadër të angazhimit për përgatitje cilësore profesionale dhe praktike në fushën e sportit, studentët e vitit të dytë të Fakultetit të Shkencave të Sportit dhe Lëvizjes në UBT kanë zhvilluar një praktikë të veçantë në ambientet e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë.

Kjo praktikë u realizua si pjesë e lëndës Sportet Luftarake, me fokus të veçantë në disiplinën e xhudos, dhe përfshiu një eksperiencë të pasur praktike e teknike në një ndër qendrat më të njohura dhe më të suksesshme të sportit në rajon.

Ajo që e bëri këtë përvojë edhe më të vlefshme ishte përfshirja direkte e trajnerit të mirënjohur Driton Kuka dhe kampiones olimpike Majlinda Kelmendi, të cilët përveç rolit të tyre si figura të shquara të sportit ndërkombëtar, janë edhe pjesë e stafit akademik të UBT-së. Studentët patën mundësinë të mësojnë nga përvoja e drejtpërdrejtë e kampionëve, duke përfituar njohuri praktike dhe frymëzim nga shembujt më të mirë të suksesit sportiv.

Gjatë seancës praktike, studentët u përfshinë në ushtrime teknike dhe taktike të xhudos, duke thelluar njohuritë e tyre për këtë sport luftarak dhe duke zhvilluar aftësi të rëndësishme që ndihmojnë në formimin e tyre si profesionistë të ardhshëm në fushën e shkencave të sportit.

Ky aktivitet është dëshmi e qasjes së avancuar të UBT-së në edukimin sportiv, ku theksi vihet në mësimdhënien interaktive, bashkëpunimin me profesionistë të fushës dhe integrimin e studentëve në ambientet ku zhvillohet sporti elitar.

UBT mbetet i përkushtuar në promovimin dhe zhvillimin e Shkencave të Sportit, duke ofruar platforma konkrete për të rinjtë që synojnë të bëhen trajnerë, specialistë të sportit apo studiues të lëvizjes njerëzore.