Edhe pak ditë për të aplikuar për garën shtetërore Microsoft Office Specialist “MOS” 2022

bool(false) 11/03/2022

UBT dhe Certiadria po sjellin në Kosovë për herë të katërt garën shtetërore Microsoft Office Specialist “MOS”, garë kjo e cila teston aftësitë dhe shkathtësitë e nxënësve dhe studentëve në MS Word, MS Excel dhe MS Power Point në versionet 2016 dhe 2019.

 

Kjo garë e cila ofrohet falas për të gjithë të interesuarit përmban teste unike, në të cilat do të demonstrohen njohuritë e kandidatëve në aspektin praktik, në një përvojë të paharruar dhe tejet profesionale për secilin prej tyre.

 

Të drejtën për t’u bërë pjesë e kësaj gare e kanë të gjithë shtetasit e Kosovës të moshës 13-22 vjet, përderisa aplikimi për nivelin lokal është i hapur deri më datë 18 mars 2022.

 

Kandidatët, pas aplikimit do të marrin pjesë në garën finale që do të mbahet në periudhën maj-qershor 2022 në Kosovë, nga ku në bazë të rezultateve të arritura tre fituesit në mënyrë automatike do të fitojnë të drejtën për të përfaqësuar Kosovën në garën botërore të Microsoft Office Specialist, e cila mbahet në periudhën korrik-gusht 2022 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Me kërkesë të organizatorëve, kandidatët që do ta përfaqësojnë Kosovën domosdoshmërisht duhet të jenë të regjistruar në institucione arsimore të akredituara dhe duhet të dorëzojnë dëshmi për moshën dhe statusin e nxënësit ose studentit.

 

Të interesuarit mund të aplikojnë duke plotësuar formularin në linkun: Microsoft Office Specialist – Aplikimi, apo duke skanuar QR Code-n e bashkëngjitur dhe të vazhdoni me formën e aplikimit.