Dr. Elmi Berisha ligjëron në UBT për rolin e lobit shqiptaro-amerikan dhe aleancën strategjike Kosovë–ShBA

04/06/2025

Në kuadër të bashkëpunimeve akademike dhe angazhimit për ofrimin e njohurive me rëndësi globale, në UBT u mbajt një ligjëratë tematike me Dr. Elmi Berishën, President i Federatës Panshqiptare VATRA në ShBA dhe një figurë e njohur në fushën e politikës dhe sigurisë ndërkombëtare.

Ligjërata ishte e dedikuar për studentët e programit Studime të Sigurisë në UBT dhe u fokusua në sfidat aktuale të sigurisë globale, me theks të veçantë në rolin e politikës amerikane në adresimin e tyre. Dr. Berisha ndau një analizë të thelluar mbi zhvillimet në skenën ndërkombëtare, përfshirë rivalitetin mes fuqive të mëdha, kërcënimet bërthamore, sigurinë kibernetike dhe transformimin e arkitekturës globale të sigurisë.

Pjesë e rëndësishme e diskutimit ishte ndikimi i lobit shqiptaro-amerikan në avancimin e kauzës shqiptare, si dhe rëndësia e aleancës së palëkundur mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Studentët patën mundësi të shtrojnë pyetje dhe të zhvillojnë një dialog të drejtpërdrejtë me Dr. Berishën, duke marrë përgjigje të argumentuara dhe perspektiva të vlefshme mbi çështje kyçe të sigurisë dhe politikës ndërkombëtare.