Dizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
18/12/2025Në kuadër të lëndës Artet dhe Hapësira, pjesë e programit Dizajn i Integruar në UBT, gjatë kësaj jave u organizua një ligjëratë e veçantë me dizajnerin grafik Berin Hasi, i cili u ftua si ligjërues mysafir për të ndarë përvojën dhe njohuritë e tij profesionale me studentët e këtij programi.
Gjatë takimit, Berin Hasi prezantoi rrugëtimin e tij profesional në fushën e dizajnit grafik, duke ndarë me studentët shembuj konkretë nga puna e tij, projekte të realizuara dhe praktikat bashkëkohore që aplikohen sot në industrinë kreative. Ai u ndal në mënyrë të veçantë te procesi kreativ, duke sqaruar fazat kryesore nga ideimi fillestar deri te realizimi final i një koncepti dizajnerik.
Diskutimi u fokusua gjithashtu në trendet më të fundit në dizajnin grafik, ndikimin e teknologjisë dhe mediave digjitale në formësimin e identitetit vizual, si dhe rëndësinë e integrimit të dizajnit me hapësirën, kulturën dhe kontekstin shoqëror. Ligjëruesi theksoi se përshtatja e vazhdueshme me zhvillimet e reja dhe ndërtimi i një mendësie fleksibile janë elemente kyçe për suksesin profesional në këtë fushë dinamike.
Studentët patën mundësinë të angazhohen aktivisht përmes pyetjeve dhe diskutimeve, duke shkëmbyer ide mbi sfidat e profesionit, mundësitë e zhvillimit të karrierës dhe rëndësinë e ndërtimit të një portofoli cilësor që reflekton identitetin personal dhe profesional të dizajnerit.