Dita e dytë e konferencës “Ditët Austriake-Kosovare 2015”, organizuar në UBT

11/03/2015

Prishtinë, 11 mars. – Konferenca “Ditët Austriake-Kosovare 2015”, e moderuar nga presidenti i Asociacionit Austriak-Kosovar, Gunther Fehlinger, i ka vazhduar diskutimet në temën “Së bashku në Evropë – 20 vitet e Austrisë në BE dhe marrëdhënie austriak të Kosovës në këtë periudhë”.

Folës të shumtë, kosovarë dhe austriakë, kanë folur për përvojat dhe të dhënat e bashkëpunimit Kosovë-Austri.

Presidenti i Asociacionit Austriak-Kosovar, Gunther Fehlinger foli për Qeverinë e re dhe fokusin e E-Qeverisjes, dhe qasjen e re të qytetarëve që do të kenë një nivel tjetër të besimit në Qeverinë e Kosovës.

 

Eva Michlits: Azil kërkimi nuk është mjet për zhvillim ekonomik

 

Në vazhdim, Eva Michlits, konsulle e Austrisë në Kosovë, ndër të tjera u shpreh se rruga e migrimit nuk është mjet për ta zhvilluar Kosovën dhe as bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

“Është kënaqësi t’ju flas për stabilitetin dhe të ardhmen e përbashkët të  Evropës Juglindore. Austria dhe Kosova janë aleat shumë të afërt, miq. Austria ka bërë shumë që ta mbështesë Kosovën, pas luftës dhe në rrugëtim drejt pavarësimit, si dhe në rrugën e Bashkimit Evropian”, tha ajo.

Në vazhdim, ajo foli për valën e azilkërkuesve ilegalë nga Kosova drejt Austrisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Evropian, që sipas saj ishte një veprim i papritur dhe i befasishëm.

“Azil kërkimi nuk është mjet për zhvillim ekonomik. Ne e dimë që duhet të bëhet shumë në Kosovë, por kjo qasje është imazh i keq për Kosovën dhe Austrinë, kështu që të punojmë së bashku që ta zhvillojmë Kosovën dhe mos ta shfrytëzojmë të drejtën e azilit ne Austri. Austria ka filluar një fushatë të madhe dhe ka treguar rezultate”, vijoi ajo. 

Ajo tha një bashkëpunim edhe më i mirë Austri-Kosovë mund të ndihmojë për t’i shmangur këto befasi.

“Austria ka bërë shumë që ta mbështesë Kosovën në asistencë teknike dhe në fushën kulturore, dhe gjithmonë mbështetemi në angazhimin e Kosovës në të ardhmen evropiane. Duhet të jemi më ambiciozë dhe të fokusohemi në atë çfarë është arritur dhe çka mund të arrijmë në të ardhmen. Vjena ka lehtësuar dialogun në Evropën Juglindore me projekte dhe ne jemi momentalisht duke implementuar një program softuerik për qeverisje të mirë, gjithashtu kemi zhvilluar kornizën e zhvillimit dhe bashkëpunimit në edukim si dhe në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Jemi të angazhuar për suksesin e Kosovës edhe në fushat socio-ekonomike”, tha ndër të tjera Eva Michlits, konsulle e Austrisë në Kosovë.

 

Busek: Duhet të shikoni me një vizion më të qartë që të zhvilloheni dhe të bëheni më të mirët

 

Dr. Erhard Busek, President i Institutit për Rajonin e Danubit dhe Evropës Qendrore dhe ish Ministër i Arsimit i Austrisë, i bëri një paraqitje të gjatë historisë së raporteve të Austrisë me Shqipërinë e me Kosovën, si dhe me gjithë rajonin e Evropës Juglindore, duke nisur nga fillimi i shekullit të kaluar dhe përgjatë gjithë këtij shekulli dhe shekullin që jemi tash.

Ai numëroi sfidat nëpër të cilat ka kaluar Austria, në periudhat e rëndësishme të historisë, por edhe qëndrimin që kanë mbajtur qytetarët, gjenerata të tëra, për t’iu bërë ballë sfidave të kohës dhe për ta zhvilluar shtetin, në një shkallë shumë të lartë dhe me shumë ndikim, siç është sot.

Duke folur për 20 vitet e Austrisë në Bashkimin Evropian, ai e quajti këtë një të arritur të madhe, e cila mund t’u shërbejë si model të tjerëve, e konkretisht Kosovës.

Ai përmendi prezencën në shtetin tonë e në rajon të Bankës Raiffeisen dhe kompanive të fuqishme austriake, dhe theksoi se fuqia ekonomike e Austrisë mbështetet me faktin se ndërmarrjet nga ky shtet e kanë shtrirë jashtë vendit aktivitetin e biznesit. 

Z.Busek theksoi se Evropa Juglindore duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. “Nuk kam dëgjuar  që dikush ka thënë që të mos i pranojmë këta. Me gjithë dashurinë time për vendin e juaj, Bosnja Hercegovina është në pozitë më të keqe sesa Kosova. Por, mos e shfrytëzoni këtë që të thoni se jeni më mirë se Bosnja. Duhet të shikoni me një vizion më të qartë që të zhvilloheni dhe të bëheni më të mirët. Kjo është një sfidë shumë e madhe”, tha ndër të tjera z.Busek.

Në vazhdim të konferencës foli Ramadan Ilazi, zëvendësministër i integrimeve evropiane, i cili fillimisht, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e falënderoi z.Busek për angazhimin e tij rreth Kosovës.

Ai foli gjerësisht për angazhimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për përmbushjen e kritereve drejt integrimit të vendit në institucionet euroatlantike dhe sidomos përkushtimin e qeverisë për të përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.

Z.Ilazi gjithashtu përmendi një varg sfidash, që nga dukuritë negative me të cilat përballen shteti dhe shoqëria e deri te papunësia e madhe dhe problemi i migrimit ilegal, që kërkojnë një zgjidhje, e cila duhet të gjendjet në bashkëpunim edhe me institucionet ndërkombëtare.

Christian Rupp, koordinator i Qeverisë së Austrisë për qeverisje elektronike foli për përvojat e zhvillimit të E-Qeverisjes në Shqipëri ne Maqedoni.

“Kemi përmendur rëndësinë e kësaj qeverisjeje, që është një mundësi për të ndërtuar transparencën dhe besimin, siç ka ndodhur ne shumë vendet tjera, por kjo gjeneron  edhe punë te reja. Kjo mund të jetë një mundësi, sidomos në këtë institucion të lartë arsimor, kjo mund të jetë një model i mirë se si mund të punoni në multimedia, që është një perspektivë për të ardhmen tonë”, tha ndër të tjera z.Rupp.

“Ne si UBT nuk do të ekzistonim pa këtë koncept bashkëpunimi ndërmjet Austrisë dhe Kosovës. Austria ka qenë i vetmi vend i cili ka hapur dyert tyre për të na ndihmuar. Unë kujtoj nga fillimi ndjenjën të kemi një partneritet për të na ndihmuar dhe kanë investuar shumë fonde. Në  Gjermani kanë thënë se Kosova është një vend shumë i vogël, po ashtu edhe në Angli. Pra, në Austri ka pasur institucione por edhe ekspertë që na kanë ndihmuar”, theksoi rektori i UBT-së, dr.Edmond Hajrizi, duke folur për bashkëpunimin Kosovë-Austri, respektivisht nga bashkëpunimi i tij dhe i UBT-së me institucionet austriake dhe ekspertët e fushave të ndryshme, përvoja e të cilëve u përcoll edhe në Kosovë.

 

Bajrami: Do të krijojmë kushte më të mira për biznesin vendor, edhe më shumë lehtësi për investitorët e huaj

 

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, zonja Hykmete Bajrami, duke folur në konferencë, paraqiti një varg të dhënash për fushat e bashkëpunimit Kosovë-Austri dhe për përpjekjet e institucioneve të Kosovës për zgjerimin e këtij bashkëpunimi, por edhe për zhvillimin e përgjithshëm të vendit.

Zonja Bajrami shtoi se qeveria po punon për hapjen e vendeve të punës dhe hapjen e perspektivës së qytetarëve. Në këtë kontekst ajo është angazhuar për heqjen e vizave për banorët e Kosovës.

Ajo theksoi fillimisht se ekonomia e Kosovës varet nga taksat e importit dhe remitencat, ndërsa theksoi se qeveria ka synim ta ndryshojë këtë gjendje. 

Sipas saj, do të ndryshohen politikat për të ndihmuar bizneset prodhuese dhe për të mbështetur në përgjithësi biznesin privat.

Ministrja Bajrami gjithashtu u angazhua për zgjerimin e bashkëpunimit me bizneset austriake.

Qeveria e Kosovës po punon që të krijojë kushte më të mira për bizneset ne Kosovë. Kemi përkrahjen nga donatorët, duke i përfshirë edhe ata austriakë. Unë dje u ktheva nga Austria, ku komiteti Kosovë-Austri mbajti një panair ku u prezantuan mbi 50 biznese austriake, disa prej të cilave edhe më përvojë ne rajon e edhe në Kosovë. Jemi krenar për sukseset e tyre por edhe për sukseset e bizneseve kosovare ne Austri, por jam e pakënaqur me investimet e bëra, theksoi ministrja Bajrami.

Qeveria e Kosovës është ne dijeni për pengesat dhe vështirësitë dhe po mundohemi që të luftojmë kundër tyre. Po punojmë kundër korrupsionit dhe po tentojmë që bizneset të kenë hapësirë dhe të gjitha kushtet për zhvillimin e aktiviteteve të tyre. Duam që të krijojmë një sistem i cili nuk e merr parasysh kush është kryeministër, ministër, drejtor apo çfarëdo tjetër. Jemi në mesin e top-reformatorëve nga Banka Botërore, po bëhet fuqizimi i sektorit privat dhe po krijohen ligjet. Kemi filluar me e-regjistrimin në agjencinë e regjistrimit të biznesit, i cili tashmë bëhet online. Shumë shpejt do të fillojë edhe programi i e-prokurorimit i cili do të luftojë korrupsionin dhe ku është shumë e rëndësishme që të përfshihen te gjitha institucionet, tha ndër të tjera ministrja Hykmete Bajrami. 

 

Wright: Në Kosovë ka 450 hotele, por pak turizëm

 

Robert Wright, drejtor ekzekutiv i Raiffeisen Bank në Kosovë tha se bizneset austriake n← Kosovë janë në një numër të konsiderueshëm.

“109 kompani austriake ekzistojnë në Kosovë. Gjendja e Kosovës nuk është më e mira e mundshme, ka vend për shumë përmirësime. Cila është arsyeja qe dikush të investoj këtu? Nuk besoj qe do të ishte përgjigje e mirë rinia, që të huajt të investojnë këtu. Ne japim kredi por kthimi i tyre është i vështirë. Ne kemi në Kosovë 450 hotele, por sa turizëm ka këtu? Të mos them fare. Kemi 1000 pompa të benzinës kur ti mund të shkosh nga Prishtina deri në Tiranë dhe të mos kesh fare nevojë për furnizim me derivate”, theksoi ai. 

Ndërsa, Vjosa Huruglica nga Oda Austriake e Bizneseve, tha se biznesmenët nga Austria nuk janë shumë të kënaqur me gjendjen në Kosovë, megjithëse Austria është në mesin e investitorëve kryesorë në vendin tonë.

“Z. Wright përmendi 109 biznese në Kosovë, mendoj se është një numër mjaft i madh dhe bizneset nga Austria janë ndër me të shumtat në numër në Kosovë”, tha ajo

Znj. Huruglica tregoi edhe për një anketë të bërë me bizneset austriake. Sipas saj, 50 për qind thanë se situata në Kosovë nuk është e kënaqshme, deri sa 25 ishin optimistë. Për bizneset e tyre 31 për qind deklaruan se është gjendje pak më e mirë në 3-mujorin e parë të vitit 2015. 

Planet e bizneseve austriake janë qe të investojnë më shumë në Kosovë dhe të rritin numrin e të të punësuarve”, tha znj. Huruglica, duke shtuar se Oda e Bizneseve Austriake në Kosovë dhe biznesmenët presin nga qeveria e re mbrojtje të investimeve, presin që të mos vazhdohet me korrupsion dhe të ketë siguri politike.

Dr. Erhard Busek në vijim kërkoi nga ministrja Hykmete Bajrami që të tërheqin partnerë, të krijohen marrëveshje dhe të krijohet një treg i mirëfilltë.

Numri jashtëzakonisht i madh i të papunëve kërkon ide themelore, të cilat janë arsimimi dhe ekonomia. Kosova, nuk është pjesë e iniciativës strategjike për ekonomi në rajon, por ajo çfarë mua më pengon më shumë është mosbashkëpunimi mes vendeve fqinje, ku secili vend punon vetëm për vete. Gjëja më negative është se fonde ka, por projekte jo. Specifikoni çka ju nevojitet! Projektet infrastrukturore, nëse nuk i keni njerëzit e trajnuar, nuk nevojiten asgjë, theksoi z.Busek.

Në sesionin e pasditet të konferencës është diskutuar për temën “E-Qeveria dhe bashkëpunimi ndërmjet Austrisë dhe Kosovës, si faktor kyç për tokën më të mirë, menaxhimin urban dhe Kadastrin”.

Përfaqësuesit e bizneseve austriake e kosovare diskutojnë për bashkëpunimin mes tyre

Në margjina të ditës së dytë të konferencës janë zhvilluar edhe takime të përfaqësuesve të bizneseve nga Kosova dhe nga Austria.

Shumë përfaqësues të biznesit kanë ndjekur punimet e konferencës dhe janë njoftuar më për së afërmi me bashkëpunimin ekzistues, por edhe për format dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit.

Përfaqësuesit e bizneseve të të dyjave vendeve kanë diskutuar për një varg çështjesh me interes, ndërsa për ta një përvojë shumë të mirë kanë paraqitur idetë e paraqitura në konferencën dyditore, por edhe fjalimet afirmative dhe përkrahëse të ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërorë të Kosovës për përkrahjen dhe krijimin e një klime të re të bashkëpunimit në të gjitha fushat e sidomos në ekonomi, duke eliminuar një varg barrierash e pengesash, që jo rrallë herë e kanë vështirësuar këtë bashkëpunim.