Busek porosit nga UBT: Kosovarët të japin shembuj për integrim në BE

09/03/2016

Erhard Busek, ish-zëvendëskancelar i Austrisë, diplomat i mirënjohur evropian, i angazhuar shumë rreth çështjes së Kosovës, njëherësh koordinator i Iniciativës për Bashkëpunim Juglindor (SECI), në konferencën njëditore: “Dita austriake-kosovare e integrimeve evropiane”, organizuar nga UBT-ja dhe Shoqata austriake-kosovare, ka porositur kosovarët që të japin shembuj më praktikë, që të jenë pjesë e integruar brenda BE-së.


Ai, duke u bazuar në gjendjen aktuale në Kosovë, theksoi se edhe Austria pas luftës së dytë botërore, kur po krijohej nga një monarki, kishte probleme dhe ishte afër luftës civile. “Atëherë kishte përplasje të konsiderueshme njëri me tjetrin, por ishte arritur që të mos ndodhte luftë civile, që do të ishte fundi i Austrisë”, saktësoi ai, teksa jepte mesazhin se edhe kosovarët duhet të merren vesh. “Nëse nuk do të merreshim vesh nuk do të shkonim përpara. Kishte diferenca të thella, por kishte qasje për kompromise”, shtoi ai dhe porositi që pavarësisht diferencave dhe mospajtimeve të brendshme, duhet bashkëpunuar për të mirën e Kosovës. “Duhet të keni bashkim, ashtu siç ishit të bashkuar për pavarësinë e Kosovës. Nuk duhet të mjaftoheni me historinë, me dhunën e Milosheviqit, por me zhvillimin. Ju duhet të promovoni vendin tuaj me turizëm, trashëgimi kulturore, të vetëmonitoroheni, të bëni më shumë punë, të bëni universitete cilësore për t’i përgatitur gjenerata me edukim, me hulumtime për integrime evropiane etj”, theksoi ai.

 

Në këtë rrafsh ai e ka lavdëruar UBT-në, si një institucion akademik, që sipas tij, nëpërmjet formave të edukimit po bënë përpjekje të mëdha integrimi. Ndryshe, ka thënë ai, nuk jetohet me historinë, aq më tepër tashti kur Evropa është në fazë kritike, deri në shkapërderdhje. “Dikush po thotë se po rritet nacionalizmi, por unë po them se nuk ka nacionalizëm, por ka egoizëm”, vuri në pah ai dhe shtoi se Evropa ka probleme refugjatësh dhe se secili mundohet të mbrojë vetveten. Tha gjithashtu se Austria e Kosova janë që të dyja të vogla dhe se varen nga globalizimi. “Pyetja është se, jo vetëm çka duhet t’i sjellë Evropa Kosovës, por edhe çfarë mund t’ia ofrojë Kosova Evropës”, vijoi ai. Në këtë drejtim, tha se kosovarët duhet të jenë të vetëdijshëm se pakkush e njeh Kosovën në Evropë, se 5 shtete ende s’e kanë njohur atë. Në tërësi, Busek tha për Evropën se nuk ka diamante, ar e argjend, por e ka trurin. Duke folur për trurin tha se UBT është në rrugë të mirë. “UBT është e ardhme e kontinentit tonë”, vijoi ai, teksa pas UBT-së ka shkuar në takim me presidenten e vendit, Atifete Jahjagën.

 

Vetë rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, ndërkaq, ka folur për hapat pozitivë që Kosova i ka arritur në fushën e arsimim-edukimit gjatë 15 vjetëve të fundit, aq sa është jetëgjatësia edhe e UBT-së. Ai theksoi se Kosova po shkon drejt normalitetit në këtë fushë, se  i ka 120 mijë studentë të regjistruar në 450 programe. “Kjo është mesatare e mirë”, shtoi ai, ndërsa  u shpreh se UBT-ja në fokus ka internacionalizimin e Kosovës dhe integrimin e saj në Bashkimin Evropian. Tregoi se është i vetëdijshëm se duhet shtuar cilësinë. “UBT është shumë aktiv në edukim, porse është i interesuar që Kosovën ta shohë anëtare të plotë të Sistemit të Bolonjës. “Po provojmë që sektorin e edukimit ta bëjmë pjesë të organizatave në rrjete të ndryshme, shkencë e politikë, ndaj besoj që Kosova ka gjëra interesante dhe do t’i nxjerrim në sipërfaqe, si në fushën e edukimit evropiane, ashtu edhe në fushën e industrisë”, u shpreh ai.

 

Fjalë të mira për miqësinë e Austrisë me Kosovën, në veçanti me Erhard Buskekun, ka folur zëvendësministri në Ministrinë e Integrimeve, Ramadani Ilazi. “Austria historikisht e ka përkrahur Kosovën”, nënvizoi ai dhe konstatoi se Kosova është projekt paqësor, i cili do përforcuar tutje. Ilazi ka folur edhe për liberalizimin e vizave, që sipas tij, nuk është e mirë vetëm për Kosovën si përfituese reale, por edhe për Evropën. Sipas tij, Kosova i ka përmbushur kriteret, por po pret që në prill të vërtetohet një gjë e tillë nga komisionet përkatëse. Ilazi ftoi opozitën që të jetë pjesë e procesit. Deputeti i Parlamentit të Kosovës, nga radhët e opozitës, Ilir Deda, tha se integrimi evropian është fjalë e ëmbël, porse sipas tij arrihet vetëm me angazhim. Ai kryesisht kritikoi institucionet publike, ndërsa arritjet ia adresoi sektorit privat. Deda tha se dialogu i brendshëm është vlerë politike, ndërsa për hapat pozitivë të zhvillimit të sektorit privat zuri ngoje UBT-në, pastaj Prizrenin si organizatore e festivaleve ndërkombëtare, aktrimin që shkoi deri  në OSCAR etj. Ai shfaqi shpresën se në 8 vitet e ardhshme Kosova do jetë shumë më mirë. Në kuadër të miqësisë Kosovë-Austri, Karoline Jaoger – Klein, ligjëruese në Vjenë, ka shpjeguar për UNESCO-n, për dështimin e anëtarësimit të Kosovës vitin e kaluar, për anëtarësimin e Austrisë në këtë organizatë, menjëherë pas themelimit etj. “Kosova ka provuar të hyjë në UNESCO në vitin 2015, por ju duhet të keni politikë kombëtare për ta listuar trashëgiminë kulturore. Lista është instrumenti më i mirë, kurse Kosova duhet familjarizuar me të”, tha ajo.

 

Nëpërmjet monitorit e ka paraqitur listën e disa objekteve të trashëgimisë kulturore, por është shprehur se duhet të ketë edhe shumë të tjera. Ka thënë se në këtë rrafsh duhet të ketë konsensus edhe me Serbinë. “Nëse ju emërtoni diçka në listën e trashëgimisë dhe ekspertiza evropiane interesohet për të, atëherë do të jetë më mirë. Dëshiroj që Kosova të jetë në UNESCO, mirëpo për këtë duhet më shumë punë”, vijoi ajo dhe shfaqi shpresën se më 2017 Kosova do të anëtarësohet në këtë organizatë. “Kemi bashkëpunim shumë të mirë me UBT dhe do të ndihmojmë në këtë plan”, tha ndër të tjera ajo. Sharmin përmbajtjesor ia ka dhënë kësaj konference, Gynter Feflinger, kryetar i shoqatës Austraike-Kosovare dhe udhëheqës i fushatës “Po për Kosovën”, i cili vazhdimisht ka shfaqur idetë e tij për zhvillimet integruese të Kosovës.