Austria e gatshme të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin e shëndetësisë në Kosovë

06/10/2015

Ish-zëvendëskancelari i Austrisë, diplomati i mirënjohur evropian, i angazhuar shumë rreth çështjes së Kosovës, z.Erhard Busek, që tani është koordinator i Iniciativës për Bashkëpunim Juglindor (SECI), ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, z.Imet Rrahmani, përfaqësues të qeverisë dhe institucioneve të tjera, si dhe profesionistë të tjerë, dhanë sot kontributin e tyre në konferencën “Dita Austriake-Kosovare e Shëndetësisë”, e organizuar nga UBT, Shoqata Austriake-Kosovare dhe Rrjeti i Kujdesit Shëndetësor Austriak për Kosovën.

 

Qëllimi i konferencës ishte diskutimi i gjendjes së sektorit të shëndetësisë në vendin tonë, problematikat që e përcjellin atë dhe rruga përpara për ngritjen e shëndetësisë në Kosovë në një nivel më të lartë, duke marrë për bazë përvojat austriake në këtë fushë, si ndër më pozitivet dhe ndër më të zhvilluarat në Evropë.


“Më lejoni që në emrin tim dhe në emër të UBT-së t’ju uroj mirëseardhje. Siç e dini, ne kemi disa bashkëpunime me organizatën austriake dhe mundësisht të marrim edhe modele austiake dhe të lidhim relacione me këtë rast edhe në fushën e shëndetësisë, që është një temë me rëndësi për Kosovën. Po mundohmi që këtë temë ta trajtojmë në mënyrë direkte dhe indirekte, me çështjet që lidhen me menaxhimin, teknologjinë dhe statistikën, dhe duke u futur sa më shumë afër klimës së shëndetësisë inovative”, theksoi ndër të tjera në hapje të konferencës rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi.

 

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, z.Imet Rrahmani, theksoi se investimi në edukim dhe në shëndëtsi sigurisht se është investim për një një të ardhme të sigurt.

“Me vendosjen e shëndetësisë si një nga prioritetet kryesore të saja, Qeveria, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë angazhohet në zbatimin e reformës përmbajtësore dhe gjithëpërfshirëse në sektorin e shëndetësisë bazuar në Strategjinë sektoriale shëndetësore 2015-2020 dhe moton e Bashkësisë Europiane në sektorin e shëndetësisë “Politikat shëndetësore  – në të gjitha politikat”, tha ministri Rrahmani.

Ministri Rrahmani tha se MSH sot gjendet në një fazë të rëndësishme të zbatimit të reformës së sistemit shëndetësor, e cila reformë synim kryesor ka sigurimin e qasjes universale në shërbime cilësore shëndetësore për të gjithë qytetarët dhe banorët e vendit si dhe eliminimin e pabarazive gjatë shfrytëzimit të shërbimeve shëndetësore. “Kjo do të arrihet me funksionalizimin më të mirë të sistemit shëndetësor, ngritjen e efikasitetit të institucioneve shëndetësore në të gjitha nivelet, përmirësimin e infrastrukturës së hapësirave dhe mjeteve të funksionimit, funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore si dhe zhvillimin e kapaciteteve menaxheriale në kuptim të rritjes së përgjegjësisë, transparencës dhe llogaridhënies së strukturave menaxheriale”, tha ai.

Më pas Ministri ka elaboruar aspekte që lidhen me themelimin dhe funksionalizimin e Fondit Publik të Sigurimeve Shëndetësore; Implementimin dhe Funksionalizimin e plotë të Sistemit të Informimit Shëndetësor (SISH); Funksionalizimin e  plotë të Odave të Profesionistëve Shëndetësorë dhe çështje të tjera me interes për reformën në shëndetësi.

Në vijim, Erhard Busek, koordinator i Iniciativës për Bashkëpunim Juglindor (SECI), theksoi se duhet bërë intervenime të nevojshme në përmirësimin e kushteve në institucionet shëndetësore, në preventivën shëndetësore, edukimin shëndetësor dhe fusha të tjera të shëndetësisë, duke theksuar se takimi si ky i Ditës së Shëndetësisë Austriako-Kosovare vendos kornizat e një bashkëpunimi akademik, që ka për qëllim krijimin e një partneriteti, këmbimin e përvojave  me qëllim të ngritjes së cilësisë së shërbimeve, edukimit shëndetësor dhe menaxhimit shëndetësor.

Z.Busek paraqiti një varg përvojash nga Austria, shtet në të cilin është bërë një përpjekje dhe angazhim i madh që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, por që rezultatet kanë arritur shumë më vonë.

 

Ai porositi kosovarët që të krenohen me atë që kanë arritur e jo të krijojnë ndjenjën e mungesës së asaj që nuk e kanë.

 

Ju duhet të vazhdoni të punoni që të arrini nivele të larta, edhe në fushën e shëndetësisë, sa më shpejt që është e mundur, theksoi Busek, duke shtuar se në këtë rrugë Kosova do të ketë përkrahjen e vazhdueshme të Austrisë.

 

Dekan i Mjekësisë në UP, dr.Sali Ahmeti, përkujtoi ndihmën e madhe të Austrisë për Kosovën në fushën e shëndetësisë.

“Përkrahja e qeverisë austriake për sistemin e edukimit në Kosovë ka filluar që nga vitet ‘90 me ç’rast ka filluar një përkrahje konkrete për Fakultetin e Mjekësisë, studentëve të të cilit iu mundësua vizita në Austri, që ishte fundamentale për këtë fakultet”, tha dr.Ahmeti.


“Çdo ndihmë është e mirëseardhur dhe nuk duhet të harrohet sidomos ndihma që na është ofruar në këtë kohë. Një falënderim të veçantë për Universitetin e Vienës edhe shtetin austirak, që ndihmuan me shumë gjëra, me pajisje laboratorike në atë kohë, që ka qenë shumë e rëndësishme. Përmës kësj zyre janë përkrahur studentë për kryrjen e doktoratës në Austri. Përvojat e marra atje janë përvoja të veçanta për ne”, tha dekani Ahmeti.

 

Në konferencë folën edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve, duke trajtuar aspekte të ndyshme të zhvillimit të sektorit të shëndetësisë në Kosovë, si dhe u zhvillua një debat mjaft me rëndësi për këtë fushë.