Ambasadori i ri i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, viziton Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së

23/05/2025

Ambasadori i ri i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, realizoi një vizitë të veçantë në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, ku u prit nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi dhe stafi akademik e profesional i institucionit.

Gjatë vizitës, Ambasadori Antonini pati mundësinë të njihet nga afër me kapacitetet teknologjike, laboratorët e avancuar, projektet inovative dhe bashkëpunimet ndërkombëtare që zhvillohen në këtë qendër unike në rajon. Ai vlerësoi lart përkushtimin e UBT-së në avancimin e arsimit, kërkimit shkencor dhe nxitjen e inovacionit, duke theksuar potencialin për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe kompanive italiane dhe UBT-së.

Rektori Hajrizi shprehu mirënjohjen për këtë vizitë dhe theksoi rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Italisë në fushën e arsimit të lartë, teknologjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Vizita u përmbyll me një prezantim të projekteve të suksesshme të studentëve dhe një bashkëbisedim për mundësitë konkrete të bashkëpunimit të ardhshëm në kuadër të agjendave të përbashkëta për zhvillim.