Ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar viziton ekipin e Kosovës në BETT 2026 në Londër
23/01/2026Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, së bashku me Zëvendësshefin e Misionit, Vlorat Gashi, kanë vizituar ekipin e Kosovës që po prezantohet në panairin më të madh botëror të teknologjisë në arsim, BETT 2026, i cili po mbahet në Londër.
Ambasadori u mirëprit nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili prezantoi aktivitetet, projektet dhe inovacionet që po përfaqësojnë Kosovën në këtë ngjarje prestigjioze ndërkombëtare. Ai theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në panaire të tilla globale, si një mundësi e rëndësishme për promovimin e arsimit, teknologjisë dhe inovacionit kosovar në skenën ndërkombëtare.
Gjatë vizitës, Ambasadori Ilir Kapiti dhe Zëvendësshefi i Misionit, Vlorat Gashi, u njohën nga afër me prezantimin e zgjidhjeve teknologjike dhe arsimore, në një panair ku po marrin pjesë edhe kompani globale si Google, Meta dhe shumë të tjera lidere në fushën e teknologjisë dhe arsimit.
Pjesëmarrja e Kosovës në BETT 2026 dëshmon potencialin në rritje të sektorit të teknologjisë dhe arsimit në vend, si dhe angazhimin për bashkëpunim ndërkombëtar dhe avancim të vazhdueshëm të inovacionit.



