Agron Krasniqi, model i përgatitjes së studentëve të UBT-së për tregun e punës

30/11/2018

Kanë kaluar disa vite prej kur Agron Krasniqi ka përfunduar studimet themelore në UBT, në Fakultetin Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, por ai nuk e ka harruar suksesin të cilin e ka arritur falë përkushtimit të tij dhe studimeve në UBT, që kanë qenë hapi i parë i bërë drejt formimit dhe ngritjes në karrierë.

 

Sot Agroni është student i nivelit master në UBT, si dhe është përgjegjës për asortiment, përkatësisht menaxher i kategorive në kompaninë “SPAR INTERNATIONAL”, si rrjet i marketeve me pakicë me renome botërore dhe me seli në Holandë, që operon në 48 shtete të ndryshme , mbi 12500 markete dhe mbi 350000 punëtorë anë e kënd botës.

 

Ai tha se kjo punë kërkon përvojë dhe përgjegjësi të madhe profesionale, por po e kryen me sukses falë marrjes së njohurive në UBT dhe përvojës së fituar ndër vite në tregun e punës.

“Puna të cilën e bëj këtu është shumë e rëndësishme dhe njëherësh e ndjeshme, për arsye se jam personi përgjegjës për asortimentin e “SPAR KOSOVA”, ku i gjithë asortimenti i përzgjedhur nga unë do jetë i gatshëm për konsumatorët kosovarë. Duke e marrë parasysh këtë, është punë mjaftë komplekse, por nga ana tjetër është e mrekullueshme, duke marrë parasysh që puna ime do të shihet dhe shijohet nga shtetasit e Kosovës”, theksoi Agroni.

 

E tërë këtë sukses në tregun e punës, ai vlerëson se nuk do ta arrinte në nivelin e tanishëm, nëse nuk do të studionte në UBT dhe në profesionin që gjithmonë e ka dashur.

“UBT ka qenë “dera hyrëse” në tregun e Kosovës dhe i inkurajoj të gjithë studentët aktualë dhe ata potencialë që t’i shfrytëzojnë maksimalisht vitet e studimit në UBT. Mësoni shumë dhe mbi të gjitha dijani vlerën vetes tuaj”, potencoi Agroni.

 

Përpos suksesit të treguar në studime dhe treg të punës, ai ka qenë edhe përfitues i bursës së programit Erasmus+, përmes UBT-së, me ç’rast edhe e përfundoi vitin e fundit të studimeve bachelor në University of Limerick, në Irlandë.