Fondacioni “Shqipe Luzha Heroi” dhe UBT shpallin konkurs për dy bursa Bachelor në Inxhinieri

16/12/2025

Fondacioni Shqipe Luzha Heroi, në bashkëpunim me UBT, shpall konkursin për ndarjen e 2 (dy) bursave për studime të nivelit Bachelor në programet e Inxhinierisë në UBT.

Qëllimi i këtij konkursi është mbështetja e studentëve me rezultate të larta gjatë studimeve, duke synuar një kontribut në zhvillimin e qëndrueshëm shkencor dhe kërkimor të gjeneratave të reja.

Përmes bursave të ofruara, Fondacioni Shqipe Luzha Heroi në bashkëpunim me UBT synon të fuqizojë kapacitetet e gjeneratës së re dhe të krijojë mundësi reale për zhvillim profesional në fushat inxhinierike që ofron UBT.

Të drejtën e aplikimit e kanë studentët që:

Kanë të regjistruar vitin e dytë ose të tretë të studimeve në vitin akademik 2025/2026.

Kandidatët duhet të plotësojnë këto kritere:

  • Të kenë notë mesatare mbi 7.5, e dëshmuar përmes paqyrës së notave;
  • Të mos jenë përfitues të ndonjë burse tjetër;
  • Të jenë studente të rregullt;
  • Të jenë shtetase të Republikës së Kosovës.

Dokumentacioni i pakompletuar, i pasaktë ose i dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar nuk do të merret në shqyrtim nga komisioni vlerësues.

Konkursi do të jetë i hapur nga data 16.12.2025 deri më 22.12.2025, deri në ora 23:59. Aplikimi bëhet përmes linkut zyrtar të publikuar nga Fondacioni  www.shqipeluzhaheroi.com.

Shpallja e bursave do të behet në ambientet e UBT-së – Kampusin Inovativ.

Kandidatet që kanë aplikuar për përfitimin e bursës kanë të drejtë ankese brenda afatit prej 7 (shtatë) ditësh nga data e publikimit të rezultateve.

Ankesat dorëzohen në arkivin e Fondacionit dhe shqyrtohen nga Komisioni për Ankesa.

Fondacioni Shqipe Luzha Heroi, përmes këtij angazhimi, vazhdon misionin e tij për mbështetjen e të rinjve të talentuar dhe fuqizimin e arsimit cilësor, duke ofruar një mundësi të rëndësishme për studentët e dalluar që synojnë të zhvillojnë potencialin e tyre akademik dhe profesional në fushat inxhinierike, në një institucion bashkëkohor, të akredituar dhe të përkushtuar ndaj inovacionit, si UBT.