Eksperti norvegjez Anders Johan Almas ligjëroi në UBT mbi ndërtimin e qëndrueshëm dhe adaptimin klimatik
29/05/2026Fakulteti i Menaxhimit të Patundshmërive dhe Infrastrukturës në UBT vazhdon të sjellë ekspertë ndërkombëtarë që u ofrojnë studentëve njohuri dhe përvoja nga praktikat më të avancuara globale.
Në këtë kuadër, studentët patën mundësinë të ndjekin një ligjëratë të veçantë nga Assoc. Prof. Dr. Anders Johan Almas nga Western Norway University of Applied Sciences (HVL), e organizuar në kuadër të lëndës “Arkitektura e Qëndrueshme”, të udhëhequr nga Prof. Dr. Visar Hoxha.
Gjatë ligjëratës me temën “Building Envelopes and Climate Adaptation”, Dr. Almas trajtoi rëndësinë e projektimit të mbështjellësve të ndërtesave dhe rolin e tyre në rritjen e efikasitetit energjetik, qëndrueshmërisë dhe rezistencës ndaj kushteve klimatike në ndryshim. Përmes shembujve konkretë dhe praktikave të aplikuara në vende të ndryshme, studentët u njohën me qasjet moderne që po transformojnë industrinë globale të ndërtimit.
Me më shumë se 20 vite përvojë në industri, kërkim shkencor dhe akademi, Dr. Almas ka kontribuar në fusha të ndryshme si menaxhimi i ndërtesave, projektimi, konsulenca, ndërtimi dhe hulumtimi shkencor. Përvoja e tij përfshin institucione dhe kompani prestigjioze si NTNU, SINTEF, Multiconsult, Veidekke, Vestlandsforsking dhe HVL, duke sjellë një perspektivë të gjerë mbi zhvillimet më të fundit në ndërtimin e qëndrueshëm.
Për studentët e Fakultetit të Menaxhimit të Patundshmërive dhe Infrastrukturës, kjo ligjëratë përfaqësoi një mundësi të vlefshme për të kuptuar nga afër sfidat reale të sektorit dhe mënyrën se si njohuritë akademike zbatohen në praktikë. Diskutimet e zhvilluara gjatë aktivitetit i ndihmuan studentët të krijojnë një pasqyrë më të qartë mbi rolin e profesionistëve të ardhshëm në projektimin dhe menaxhimin e ndërtesave të qëndrueshme.
