Studentët e Shkencave Politike në UBT lansojnë podcastin “Inside politics with Aja”
03/04/2026Studentët e Fakultetit të Shkencave Politike në UBT do të lansojnë një projekt të ri mediatik, “Inside politics with Aja”, një podcast i realizuar nga vetë ata, i cili synon të sjellë diskutime të thelluara mbi çështje aktuale me interes për publikun.
Ky podcast udhëhiqet nga studentja Aja Gashi, e cila në çdo episod do të bashkëbisedojë me profesorë dhe ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, duke trajtuar tema që lidhen me zhvillimet politike, sociale dhe sfidat aktuale.
Episodi i parë i “Inside politics with Aja” do të lansohet sot në ora 18:00 në platformat zyrtare të UBT-së, në YouTube dhe në të gjitha rrjetet sociale, përfshirë Facebook, Instagram, LinkedIn, Twitter dhe TikTok. Projekti do të vijojë me publikime të rregullta çdo dy javë, duke sjellë perspektiva të ndryshme dhe analiza profesionale nga ekspertë të fushave përkatëse.
Në këtë episodë do të jetë i ftuar profesori ndërkombëtar dhe eksperti i Security Management, John Doone, i cili do të flasë më gjerësisht rreth kësaj fushe, sfidave dhe zhvillimeve më të fundit në nivel global.
Ky projekt ka nisur si një iniciativë në kuadër të një punëtorie të organizuar nga Fakulteti i Shkencave Politike, me qëllim që studentëve t’u ofrohet një platformë praktike për zhvillimin e aftësive në komunikim publik, analizë dhe prodhim mediatik. Përmes këtij formati, studentët kanë mundësi të aplikojnë njohuritë teorike në praktikë dhe të ndërtojnë përvojë konkrete në krijimin e përmbajtjes cilësore.
“Inside politics with Aja” përfaqëson një ndër iniciativat e veçanta studentore në UBT, duke dëshmuar përkushtimin e institucionit për të mbështetur kreativitetin, mendimin kritik dhe profesionalizimin e të rinjve në fusha të ndryshme.
Me këtë projekt, UBT vazhdon të forcojë rolin e tij si një qendër inovative e arsimit, ku studentët jo vetëm mësojnë, por edhe krijojnë, analizojnë dhe kontribuojnë në diskursin publik përmes platformave moderne të komunikimit.
