UBT zhvillon vizitë pune në Stamboll dhe hap mundësi të reja bashkëpunimi ndërkombëtar

08/12/2025

Ekipi i Fakultetit të Artit dhe Dizajnit të UBT-së, i përbërë nga dekania Ariana Gjoni, prodekania e Departamentit të Dizajnit, Aferdita Statovci, si dhe profesorja e Dizajnit, Cennet Lika, realizoi një vizitë zyrtare në disa prej institucioneve më të rëndësishme të modës, artit dhe dizajnit në Stamboll.

Gjatë vizitës, përfaqësuesit e UBT-së u pritën në Istanbul Moda Akademisi (IMA), Vakko ESMOD Istanbul dhe Mimar Sinan Güzel Sanatlar Üniversitesi. Në këto takime u diskutuan mundësi konkrete bashkëpunimi, të cilat synojnë avancimin e programeve akademike si dhe krijimin e nismave të reja në fushat kreative.

Në IMA, palët diskutuan mundësinë që studentët e UBT-së të ndjekin një modul të certifikuar gjatë semestrit, si një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të programeve. Gjithashtu u dakordua për bashkëpunim në integrimin e praktikave bashkëkohore në mësimdhënie, me fokus në zhvillimin profesional dhe ngritjen e cilësisë akademike. U trajtua edhe ideja e organizimit të një Summer Academy të përbashkët Prishtinë–Stamboll, si dhe mundësitë për aplikim në projekte të përbashkëta ndërkombëtare. Palët ranë dakord gjithashtu për organizimin e trajnimeve profesionale për stafin akademik.

Në Vakko ESMOD Istanbul, dega zyrtare e ESMOD Paris, u zhvillua një takim shumë i frytshëm me drejtuesen e institucionit, znj. Iper Artuz. Diskutimet u fokusuan në bashkëpunime të mundshme akademike dhe kreative, si dhe në krijimin e lidhjeve profesionale me ESMOD Paris – një nga shkollat më prestigjioze të modës në botë.

Gjatë vizitës në Mimar Sinan Güzel Sanatlar Üniversitesi, ekipi i UBT-së u njoh me mjediset akademike, infrastrukturën dhe qasjet pedagogjike të institucionit, duke identifikuar potencial për shkëmbime profesionale dhe projekte të përbashkëta në të ardhmen.

Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm për forcimin e ndërkombëtarizimit të programeve të Artit, Dizajnit, Modës dhe Mediave Digjitale në UBT. Mundësitë e reja të bashkëpunimit pritet të kontribuojnë në modernizimin e kurrikulave, rritjen e cilësisë akademike dhe zgjerimin e mundësive për studentët dhe stafin e institucionit.