
Fakulteti i Arteve – Muzikës Moderne, Prodhimit Digjital dhe Menaxhim mbajti koncert festiv në nder të 28 Nëntorit
27/11/2025Programi u hap me Korin e UBT-së, nën drejtimin e Prof.Lindita Isufi, të cilët interpretuan me solemnitet Hymnin Kombëtar dhe Suitën Korale të kompozitorit të madh Rauf Dhomi. Një hyrje madhështore, që i dha skenës tonin e duhur festiv.
Më pas, pianisti Ledian Shala solli një interpretim mbresëlënës të veprës “Për Ty Atdhe”, duke e mbushur sallën me emocione dhe ngrohtësi artistike.
Koncerti vazhdoi me klarinetistin Rinor Hasimi, i cili interpretoi me virtuozitet veprën “Czardas” nga V. Monti. Ai u shoqërua nga Prof.Dukagjin Muhaxheri në piano dhe studneti Shend Xhini në bateri – një bashkëpunim energjik që u prit me shumë admirim.
Një nga momentet më prekëse ishte interpretimi i Erza Ahmeti, e cila solli veprën “Trim Mbi Trima” në oboe dhe vokal, e shoqëruar në piano nga Prof.Dukagjin Muhaxheri. Një interpretim i brishtë dhe emocional që preku publikun.
Pas saj, klarinetisti Sunaj Qerimi ndezi skenën me interpretimin e veprës “Baresha”, të shoqëruar nga studentet Ledian Shala në piano dhe Shend Xhini në bateri. Një vepër plot dinamika e ritme, që u shpërblye me duartrokitje entuziaste nga publiku.
Në fund, të gjithë studentët, së bashku me Prof. Dukagjin Muhaxherin, u bashkuan në një interpretim të fuqishëm dhe të ndjerë të veprës “Këngë Moj”, duke mbyllur koncertin me një atmosferë të ngrohtë dhe festive.
Ky koncert dëshmoi edhe një herë talentin e studentëve tanë dhe përkushtimin e pedagogëve që i udhëheqin. Një mbrëmje arti që nderoi kulturën, muzikën dhe festën tonë kombëtare.
