
UBT organizon debat rreth zgjerimit të BE-së dhe ruajtjes së vlerave evropiane
09/06/2025Në kuadër të projektit AKIL-EU Jean Monnet, të financuar nga Bashkimi Evropian, në ambientet e UBT-së në Prishtinë do të organizohet një tryezë të rrumbullakët me temën “Integrimi i anëtarëve të rinj, ruajtja e vlerave të BE-së”.
Ky aktivitet i rëndësishëm akademik do të mbahet më 20 qershor 2025, duke filluar nga ora 11:00, dhe do të mbledhë akademikë, politikëbërës, studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar mbi sfidat dhe mundësitë që paraqet procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Fjalën hyrëse do ta mbajë Prof. Assoc. Dr. Manjola Zaçellari, e cila do të trajtojë aspektet kyçe të integrimit evropian, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të vlerave themelore të BE-së gjatë këtij procesi.
Përmes këtij debati, synohet të nxiten reflektime të thella dhe shkëmbime mendimesh për të ardhmen e Evropës dhe mënyrën se si vendet aspirante mund të integrohen pa kompromentuar parimet demokratike, të drejtën e sundimit dhe të drejtat e njeriut.
UBT dhe projekti Jean Monnet ftojnë të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në këtë diskutim frymëzues mbi të ardhmen e Evropës. LINKU PËR REGJISTRIM