Seminar mbi Integrimin Evropian të Ballkanit Perëndimor – UBT mirëpret ligjëruesin nga Austria, Mag. Bahri Troja

22/05/2025

Në kuadër të projektit AKIL-EU Jean Monnet, i financuar nga Bashkimi Evropian, UBT pati nderin të organizojë një seminar me temën “Integrimi Evropian i Ballkanit Perëndimor”, me ligjërues të ftuar Mag. Bahri Troja nga Fondi Austriak për Integrim (ÖIF).

Ky seminar, i cili u mbajt me pjesëmarrjen aktive të studentëve të UBT-së, u fokusua veçanërisht në proceset e integrimit të Shqipërisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian. Gjatë ligjëratës së tij, Mag. Troja solli një analizë të thelluar mbi sfidat aktuale me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe mbi perspektivat që ofron integrimi në BE.

Duke ndarë përvojën e tij profesionale dhe ekspertizën nga Austria, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, zbatimit të reformave strukturore, dhe rëndësisë së harmonizimit të standardeve ligjore dhe administrative me ato të Bashkimit Evropian.

Studentët patën mundësinë të angazhohen në diskutime interaktive, duke ngritur pyetje dhe ndarë mendime mbi rrugën e integrimit evropian, duke reflektuar mbi rolin që mund të luajnë ata si qytetarë të angazhuar dhe profesionistë të së ardhmes.

Kontributi i Mag. Bahri Trojës në këtë seminar u vlerësua lart për qasjen e tij dinamike dhe për angazhimin në një temë kaq të rëndësishme për të ardhmen e rajonit.

UBT, përmes iniciativave të tilla, vazhdon të forcojë lidhjet me institucione ndërkombëtare dhe të ofrojë hapësira ku studentët përfitojnë nga eksperiencat dhe perspektivat evropiane mbi çështje të politikave publike, zhvillimit dhe integrimit.