
UBT zgjeron rrjetin ndërkombëtar: Partneritet i ri me Fakultetin e Arteve Grafike të Universitetit të Zagrebit
25/06/2025UBT ka bërë një tjetër hap të rëndësishëm në drejtim të ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë, duke formalizuar një marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Arteve Grafike të Universitetit të Zagrebit, një nga institucionet më të njohura akademike në Kroaci në fushën e artit dhe dizajnit.
Kjo marrëveshje hap horizonte të reja për bashkëpunim ndërinstitucional në fusha kyçe si shkëmbimi i studentëve dhe stafit akademik e administrativ, zhvillimi i projekteve të përbashkëta kërkimore dhe inovative, si dhe organizimi i ngjarjeve të përbashkëta shkencore, artistike dhe kulturore.
Ky bashkëpunim vjen si pjesë e vizionit të UBT-së për të ndërtuar ura të qëndrueshme me institucionet më të mira arsimore në Evropë, duke krijuar një platformë të përbashkët për avancimin e dijes, inovacionit dhe krijimtarisë.