UBT zgjeron partneritetin në Turqi, nënshkruan marrëveshje me universitetin presitgjioz “Selçuk”

27/12/2019

UBT vazhdon të zgjerojë partneritetin me institucione të shquara akademike botërore, me qëllim të krijimit të mundësive për zhvillim akademik dhe profesional për studentët.

Së fundmi, UBT ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Selçuk”, një nga institucionet më prestigjioze të arsimit të lartë në Turqi.

 

Memorandumi i bashkëpunimit përfshinë krijimin e partneritetit strategjik midis dy palëve dhe forcimin e bashkëpunimit, duke përfshirë shkëmbimin e studentëve dhe stafit, shkëmbimin e përvojave profesionale, organizimin e konferencave dhe hulumtimeve, kryesisht në fushën e shkencës.

 

Marrëveshja është nënshkruar nga rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi dhe prorektori i Universitetit “Selçuk”, prof. dr. Hüseyin Kara.

 

Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë e këtij memorandumi bashkëpunimit, ku tha se është një nga partneritetet më të rëndësishme të krijuara me institucione akademike ndërkombëtare.

 

“Marrëveshjet e lidhura nga UBT me institucionet ndërkombëtare pasqyrojnë gatishmërinë e institucionit për të forcuar bashkëpunimin me partnerë strategjikë në vendet si Turqia dhe më tej, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e mundësive për shkëmbimin e stafit dhe studentëve. Nga nismat e tilla të përbashkëta përfitojnë si studentët ashtu edhe institucionet, ngaqë përmirësojnë aftësitë të tyre kërkimore dhe nxjerrin bashkërisht ekspertiza profesionale shkencore”, tha rektori Hajrizi.

 

Falë kësaj marrëveshjeje, studentët e dy vendeve duke filluar nga semestri i ardhshëm akademik do të mund të vazhdojnë studimet në këtë universitet, të marrin pjesë në vizita interaktive e studimore dhe të eksplorojnë vendet në aspektin kulturor.

 

UBT ka bashkëpunim me 450 universitete të njohura nga e mbarë bota, bashkëpunim që është përqendruar në hulumtim, shkencë dhe inovacion.