UBT uron 1 Qershorin – Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve

01/06/2025

Rektor i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, u ka uruar të gjithë fëmijëve 1 Qershorin – Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, duke theksuar nevojën e trajtimit të barabartë të çdo fëmije dhe angazhimin për t’u ofruar atyre mundësitë për të realizuar ëndrrat dhe qëllimet e tyre.

“Për këtë ditë, ne gjithashtu duam të nënvizojmë rolin thelbësor të shkollave fillore, të cilat janë hapësira ku fëmijët nisin rrugëtimin e tyre të mësimit dhe zhvillimit personal. Aty ata ndajnë momente të bukura me shokët dhe shoqet, ndërtojnë miqësi, mësojnë vlera të rëndësishme dhe forcojnë bazat e të ardhmes së tyre”, ka thënë Rektori Hajrizi.

Dita e Fëmijëve është një mundësi për të rikujtuar se secili fëmijë meriton mundësi dhe mbështetje të vazhdueshme që të zhvillohet në një mjedis të sigurt dhe stimulues. Të gjithë ne duhet të jemi të angazhuar për të siguruar një të ardhme më të ndritur për brezat që vijnë.

Urime të gjithë fëmijëve, kudo që ndodhen, dhe falënderime të gjithë mësuesve dhe edukatorëve që kontribuojnë çdo ditë në jetën e tyre!