UBT sjell në Kaçanik një reflektim akademik mbi trashëgiminë moderne përmes ekspozitës “Modernizmi në Kaçanik 1945–1990”

03/03/2026

Në praninë e përfaqësuesve të institucioneve lokale nga Komuna e Kaçanikut dhe Komuna e Hanit të Elezit, stafit akademik dhe studentëve të interesuar nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, u bë hapja solemne e ekspozitës “Modernizmi në Kaçanik 1945–1990”, një projekt hulumtues dhe prezantues i përkushtuar zhvillimit arkitektonik, urban dhe kulturor të periudhës së modernizmit në qytetin e Kaçanikut.

Ekspozita, e organizuar, punuar dhe kuruar nga profesori Kujtim Elezi në bashkëpunim me një grup studentësh të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, përfaqëson një angazhim të drejtpërdrejtë akademik dhe praktik të studentëve në dokumentimin, analizimin dhe interpretimin e trashëgimisë moderne arkitektonike. Përmes hulumtimeve në terren, mbledhjes së materialeve arkivore, analizave grafike dhe prezantimeve vizuale, studentët kanë sjellë një pasqyrë të strukturuar të transformimeve urbane dhe arkitektonike që kanë shënuar Kaçanikun në periudhën 1945–1990.

Ky projekt dëshmon qasjen bashkëkohore të Departamentit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, i cili integron mësimdhënien teorike me punën kërkimore dhe angazhimin praktik në komunitet. Përmes kësaj ekspozite, studentët jo vetëm që kanë zhvilluar aftësitë e tyre profesionale në analizë urbane dhe interpretim arkitektonik, por kanë kontribuar edhe në ngritjen e vetëdijes mbi rëndësinë e ruajtjes dhe rivlerësimit të trashëgimisë moderne.

Ekspozita synon të nxisë reflektim akademik dhe diskutim profesional mbi vlerat e modernizmit dhe ndikimin e tij në formësimin e identitetit arkitektonik bashkëkohor, duke e vendosur dialogun mbi trashëgiminë në një kontekst aktual të zhvillimit urban.