
UBT promovon ndërveprimin ndërkombëtar përmes artit: Studentët dhe artistja nga Gaza sjellin skulpturën “Thatë”, një thirrje ndaj krizës së ujit
21/05/2025Në kuadër të lëndës Praktika në Studio 4, nën mentorimin e Prof. Gazmend Ejupi, në Fakultetin e Artit dhe Dizajnit në UBT, është realizuar një bashkëpunim unik mes studentit Jetgëzim Kastrati dhe artistes palestineze Amal Al Nakhala, me qëllim ngritjen e vetëdijes përmes artit mbi një nga çështjet më akute humanitare të kohës sonë – krizën e ujit në Gaza.
“Thatë” është një instalacion skulpturor i ndërtuar tërësisht nga mbeturina plastike, konkretisht nga shishe plastike të hedhura, të cilat përbëjnë një pus të zbrazët e të thatë – simbolikë e fortë për mungesën ekstreme të ujit të pijshëm në Gaza. Vepra përçon një mesazh të fuqishëm politik dhe humanitar, duke trajtuar mënyrën se si infrastruktura jetike e ujit shndërrohet në objektiv lufte, çka i privon civilët nga burimet më bazike të mbijetesës.
Ky projekt bashkon artin konceptual me aktivizmin, duke i dhënë formë vizuale një realiteti brutal që shpesh mbetet i padukshëm përmes statistikave dhe raporteve të thatë. Jetgëzim Kastrati, përmes gjuhës së skulpturës dhe materialeve të riciklueshme, sjell në vëmendje shkatërrimin ekologjik dhe njerëzor si pasojë e konflikteve të armatosura.
Në anën tjetër, pjesë e rëndësishme e projektit është kontributi emocional dhe artistik i Amal Al Nakhala, artiste nga Gaza me bazë në Egjipt, e cila përmes ilustrimeve të saj personale reflekton përjetimet e një jete të rrethuar nga dhuna, frika dhe mungesa. Perspektiva e saj intime përplotëson narrativën vizuale të veprës “Thatë”, duke i dhënë zë atyre që shpesh mbeten në heshtje.
Ky bashkëpunim u përmbyll me një bashkëbisedim virtual mes Jetgëzim Kastratit dhe Amal Al Nakhalës, ku u diskutua mbi procesin krijues, ndikimet emocionale, dhe mesazhet universale që përçon vepra. Studentët pjesëmarrës në kursin e studios patën mundësinë të mësojnë jo vetëm për teknikat artistike, por edhe për forcën që arti ka në ndërtimin e urave ndërkulturore dhe në adresimin e çështjeve globale.
“Thatë” nuk është vetëm një vepër arti – është një manifest vizual, një reaksion estetik ndaj dhimbjes njerëzore, dhe një dëshmi se edhe nga mbeturinat mund të ngrihen mesazhe që prekin ndërgjegjen globale.