UBT përzgjidhet për herë të dytë fitues i Regional Challenge Fund (RCF)

02/03/2026

UBT është përzgjedhur sërish si përfitues i Thirrjes 4 të Regional Challenge Fund (RCF), duke konfirmuar pozicionin e tij si institucion lider në ndërlidhjen e arsimit profesional me zhvillimin ekonomik dhe transformimin digjital.

Në këtë kuadër, UBT do të zbatojë projektin: “Avancimi i Programeve të Akredituara në IT & Elektronikë përmes Cloud dhe Analitikës së të Dhënave me Inteligjencë Artificiale”, (Enhancing Accredited IT & Electronics Programs with Cloud and AI Data Analytics).

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se: “Ky projekt është një hap strategjik në konsolidimin e modelit tonë të arsimit të integruar brenda ekosistemit UBT. Përmes Smart Schools, infrastrukturës 5G, laboratorëve inovativë dhe konceptit të Smart City, ne po krijojmë një mjedis ku teknologjia nuk mësohet vetëm teorikisht, por zbatohet në praktikë reale. Integrimi i Cloud dhe Inteligjencës Artificiale në nivelet e hershme të arsimit profesional do të rrisë ndjeshëm konkurrueshmërinë e të rinjve tanë dhe do ta pozicionojë Kosovën si pjesë aktive të ekonomisë digjitale evropiane”.

Departamenti për Edukim dhe Zhvillim Profesional, i udhëhequr nga Dr. Besnik Skenderi, do të sigurojë lidhjen e ngushtë mes kurrikulave të përditësuara, standardeve profesionale dhe nevojave të tregut të punës, duke krijuar një strukturë të qëndrueshme për zhvillimin e aftësive praktike të të rinjve.

Projekti financohet nga RCF4 me €394,000.00, ndërsa vlera totale është €881,300.00, me €487,300.00 bashkëfinancim nga UBT.

Zbatimi do të realizohet në partneritet me Quantix L.L.C., ALT SH.P.K. dhe Edutask L.L.C., duke krijuar një konsorcium të fuqishëm që synon modernizimin e programeve të akredituara përmes integrimit të Cloud Computing, Inteligjencës Artificiale dhe Data Analytics.

Projekti do të zbatohet në UBT International Smart Schools – Gjimnazet TIK në Prishtinë dhe Prizren, të cilat operojnë në kuadër të ekosistemit inovativ të UBT-së.

Përmes laboratorëve të rinj, pajisjeve moderne dhe kurrikulave të përditësuara, nxënësit do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në teknologjitë më të avancuara, duke u përgatitur për tregun evropian të punës që në fazat e hershme të arsimit profesional.

Ky është projekti i dytë i fituar nga UBT në kuadër të RCF, pas suksesit në Thirrjen 3 me projektin “Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e Inteligjencës Artificiale”.

UBT shpreh falënderim të veçantë për Regional Challenge Fund për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe integrimin evropian të Kosovës.

Consortia Selected for Financing Under the 4th Call for Proposals