UBT ka filluar me mbajtjen e trajnimeve për maturantë në kuadër të projektit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit

26/04/2022

UBT ka filluar mbajtjen e trajnimeve për maturantët nga e gjithë Kosova, në kuadër të projektit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, për trajnimin në fushën e teknologjisë informative.

 

Si institucion i arsimit të lartë i akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, UBT është duke i zhvilluar këto trajnime me kapacitete të plota dhe me profesionistët më të mirë të teknologjisë informative, në qendrat e UBT-së në Prishtinë, Lipjan, Pejë, Ferizaj, Gjilan dhe Prizren.

 

Së shpejti, UBT planifikon që trajnimet të fillojnë edhe në Mitrovicë dhe Gjakovë, nga ku maturantët përmes kushteve moderne që ofron UBT, po marrin praktikat më të mira dhe më të njohura ndërkombëtare për sa i përket kësaj fushe.

 

UBT i ka dhënë një theks të veçantë zhvillimit të programeve të teknologjive informative duke krijuar kushte moderne dhe laboratorë të posaçëm për zhvillimin e veprimtarive të nevojshme për t’i shndërruar studentët dhe maturantët në profesionistë të vërtetë.

 

Me këtë rast, UBT vitin e kaluar i është bashkuar thirrjes së MASHTI për zhvillimin e maturantëve, duke iu ofruar kështu 10% bursë për studimet akademike për programin Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, si dhe programin Sistemet e Informacionit, për të gjithë ata maturantë që janë duke ndjekur trajnimet e teknologjisë informative në UBT.