UBT filloi punimet e punëtorisë për zhvillim të qëndrueshëm për Komunën e Vitisë

11/06/2021

UBT në bashkëpunim me Komunën e Vitisë kanë filluar punimet e punëtorisë për vizionimin e kësaj komune për zhvillim të qëndrueshëm, që po mbahet në qytetin e Durrësit.

 

Në këtë punëtori që do të zgjasë tre ditë, do të diskutohet për profilin komunal, analizën e gjendjes ekzistuese në të gjithë sektorët relevant, vizionin, qëllimet strategjike, si dhe objektivat për zhvillim të qëndrueshëm e të balancuar të Komunës së Vitisë në terma mjedisor, socio-ekonomik dhe infrastrukturor.

 

UBT, si partner profesional dhe akademik i këtij procesi për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZHK), është duke ndihmuar përmes profesionistëve dhe ekspertëve nga Instituti për Planifikim Hapësinor, Fakulteti Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, Fakulteti Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë, Fakulteti Inxhinieri e Agrikulturës dhe Mjedisit, Fakulteti Inxhinieri e Energjisë dhe Menaxhment, Fakulteti Sistemet e Informacionit, si dhe ekspertë e profesionistë nga fusha të tjera të studimit që vijnë nga UBT.

 

Kjo punëtori vjen në vazhdën e bashkëpunimit të UBT-së me Komunën e Vitisë për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal për periudhën 2021-2029.