UBT dhe Komuna e Gjilanit nënshkruajnë marrëveshje për krijimin e platformës “Smart City” dhe aplikacionit online për leje ndërtimore

02/04/2021

Komunave të Kosovës që kanë lidhur bashkëpunim me UBT-në për krijimin e platformës Smart City dhe aplikacionit online për leje ndërtimore i është shtuar edhe Komuna e Gjilanit.

 

Rektori i UBT-së, Prof.Dr. Edmond Hajrizi ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri,  për implementimin e projekteve për platformën dhe aplikacionin që synojnë ta orientojnë Gjilanin drejt konceptit të zhvillimit të mençur dhe të qëndrueshëm.

 

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka mirëpritur nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve, duke thënë se me këtë bashkëpunim qyteti i Gjilanit do të përfitojë një strategji dhe qasje inovative ndaj problemeve lokale.

 

“Këto marrëveshje do të kontribuojnë shumë në qasjen dhe strategjinë që do ta ketë qyteti i Gjilanit në të ardhmen ndaj problemeve lokale dhe mënyrën se si do të duhet zgjidhur ato”, ka thënë rektori Hajrizi.

 

Së bashku me kryetarin e Komunës së Gjilanit, ata kanë diskutuar rreth zhvillimit të mençur dhe të qëndrueshëm hapësinor, urban, socio-ekonomik dhe infrastrukturor.

 

Projektet  synojnë që të përgatisin dhe komunikojnë strategji gjithëpërfshirëse të qyteteve të mençura, të cilat do t’u sigurojnë qyteteve të Kosovës qasje inovative ndaj problemeve të komunitetit, si dhe do të ndihmojnë në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm hapësinor dhe urban.

 

Ndërsa kryetari Haziri ka shprehur përkrahjen e tij të plotë për konkretizimin e këtyre dy projekteve si dhe ka theksuar nevojën dhe gatishmërinë e komunës për bashkëpunime tjera konkrete me UBT-në.

 

Të dy projektet UBT do t’i realizojë përmes Institutit për Studime Urbane dhe Planifikim Hapësinor