
UBT dhe Binance bashkë në një ngjarje unike për Blockchain dhe sigurinë në kripto
18/07/2025Në kuadër të Akademisë Verore të Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, pjesë e Global UBT Fest 2025, në hapësirat e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së u organizua një aktivitet i veçantë me Binance, që mblodhi së bashku studentë, profesorë, profesionistë të fushës dhe të interesuar të tjerë për të diskutuar dhe mësuar më shumë rreth temave aktuale në teknologjinë Blockchain dhe kriptovaluta.
Hapjen solemne të ngjarjes e bëri Presidenti dhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili theksoi rëndësinë e integrimit të teknologjive të reja si Blockchain në arsim, ekonomi dhe sektorë të tjerë strategjikë të zhvillimit.
Në vijim, eksperti Sandro Slukan mbajti një prezantim tematik rreth “Themeleve të Kriptovalutave, sigurisë në kripto dhe mënyrave për mbrojtjen e vetes në botën digjitale”, duke ofruar njohuri të rëndësishme praktike për të rinjtë që duan të angazhohen në këtë fushë.
Pjesë e programit ishte edhe paneli diskutues me temën “Integrimi i Blockchain në institucione”, i udhëhequr nga Rektori Hajrizi, ku morën pjesë Sandro Slukan dhe Polina Brottier, përfaqësuesë nga kompania globale Binance. Paneli solli perspektiva konkrete për aplikimin institucional të teknologjisë Blockchain në administratë, arsim dhe biznese.
Ngjarja vazhdoi me një prezantim të veçantë nga Polina Brottier, me temën “Karriera dhe vullnetarizmi në Binance: Qasjet më të mira”, ku ajo ndau me studentët përvojat dhe mundësitë që ofron Binance për të rinjtë e pasionuar pas teknologjisë dhe inovacionit.
Gjithashtu u prezantua edhe Angels Program Binance, ku Betim Cakiqi nga Kosova tregoi përvojën e tij si vullnetar në këtë platformë ndërkombëtare, duke dëshmuar se të rinjtë tanë mund të bëhen pjesë aktive e skenës globale të inovacionit.
Ky aktivitet ishte një mundësi unike për pjesëmarrësit që të kuptojnë më thellë potencialin transformues të Blockchain-it dhe të krijojnë lidhje të drejtpërdrejta me ekspertë të industrisë.