Studentja e UBT-së, Rinesa Rafuna, përfituese e bursës për shkëmbim studentor në Technical University of Sofia

12/01/2022

Studentja e Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT, Rinesa Rafuna, është studentja e radhës e cila ka përfituar nga mundësia që e ofron UBT përmes programit Erasmus+ për shkëmbim studentor në universitete të ndryshme të botës.

 

Technical University of Sofia, është vendi ku për një semestër, Rinesa do të vazhdojë studimet akademike, pas një periudhe të suksesshme në UBT, institucion që i ndihmojë asaj të zhvillohet për nga aspekti akademik dhe profesional.

 

“Gjatë viteve të studimit në UBT, përpos avancimit akademik, kam përfituar edhe aftësi të ndryshme të punës, si menaxhimin më të mirë të kohës, menaxhimin e projekteve, e bashkëpunimin efikas në grupe”, ka thënë fillimisht Rinesa.

 

Ajo studimet në UBT i sheh si të mirëqena, unike dhe të një niveli tjetër, marrë parasysh mundësive që ky institucion i arsimit të lartë iu ka ofruar studentëve.

 

“Mendoj se studimet në UBT i bën të veçanta qasja dhe mënyra e ofrimit të informacioneve, komunikimi i vazhdueshëm i profesorëve me studentë, si dhe gatishmëria e universitetit për të qenë gjithmonë në hap me kohën”, ka thënë studentja e Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT, Rinesa Rafuna.

 

Ky shkëmbim studentor asaj do t’i mundësojë që të përfitojë nga kultura të reja të mësimit, njohuri dhe eksperienca të ndryshme, të cilat do t’i kontribuojnë jashtëzakonisht shumë në zhvillimin profesional në karrierë.