Studenti Pëllumb Halili, inxhinier në Kazakistan

11/11/2019

Studentët e UBT-së po e prekin botën me profesionalizmin e tyre, e një ndër ta është studenti i nivelit master në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës, Pëllumb Halili, i cili është punësuar si inxhinier i ndërtimit në kompaninë “Mabetex Group”, me seli në Astana të Kazakistanit.

 

Në këtë kompani, Pëllumbi po i shfrytëzon njohuritë e fituara gjatë studimeve në UBT, në punën e tij të përditshme prej inxhinieri.

Ai tha se paraprakisht është aftësuar dhe ka përfituar përvoja profesionale në aspektin praktik përmes mbajtjes së punës praktike në kompaninë Bechtel Enka, si dhe në kompani të tjera.

“Puna e vazhdueshme, përkushtimi dhe vendosmëria për t’i arritur qëllimet e mia, janë parametrat bazë për arritjen e suksesit, e kur kësaj i shtohet ndihma e profesorëve dhe e stafit të UBT-së, sigurisht që qëllimet arrihen me lehtësi”, theksoi ai.

 

Pëllumbi tha se Fakulteti Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë është një program që krahasohet me universitetet tjera në Evropë, për nga cilësia në mësimdhënie dhe mësimnxënie.

“UBT si institucion arsimor krahasohet me universitetet tjera evropiane, duke u bazuar kryesisht në përvojat e kolegëve dhe studentëve të tjerë që vijnë nga universitete të njohura. Mendoj se jemi në nivel thuajse të njëjtë dhe kjo gjë e bënë më të lehtë bashkëpunimin, studimin, apo punën në vendet e ndryshme të botes”, shtoi ai.

 

Studentët e UBT-së nga të gjitha programet e studimit janë duke u sistemuar në tregun ndërkombëtar të punës, dhe për më tepër, kanë shkallë të njëjtë të kompetencave me kolegët e tyre që janë shkolluar nëpër universitete më të mira në botë.