Studentët e UBT-së realizuan një vizitë studimore në kompaninë “InstaBuilt”

23/05/2023

Studentët e vitit të tretë të Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, në kuadër të lëndës “Projekti i Ndërmarrësisë”, të udhëhequr nga profesori Enver Krasniqi, kanë realizuar një vizitë studimore në Kompaninë “InstaBuilt” në Milloshevë (Balshaj).

Gjatë kësaj vizite studentët janë mirëpritur nga stafi i “InstaBuilt”, një mikpritje e ngrohtë e shoqëruar me prezantimin informues mbi kompaninë, duke gërshetuar historikun e saj, veprimtarinë, vizionin, dhe më e rëndësishmja vizitën nga afër të Qendrës Inovative dhe të ndërtimeve modulare, më konkretisht shtëpive modulare.

Pas prezantimit informues, studentët patën rastin të jenë pjesë e tryezës së diskutimit me stafin e “InstaBuilt”, ku u zhvillua teknika ‘Q & A (Question & Answer)’, me ç’rast studentët ishin të lirë të inkuadrohen me pyetje relevante rreth kompanisë “InstaBuilt”, më konkretisht rreth shtëpive modulare me fokus aspektin biznesor, të shprehnin njohuritë e tyre, si dhe të ndanin eksperiencën e tyre nga mbajtja e ligjëratave tematike e studimore të realizuara nga lënda “Projekt Ndërmarrësie” dhe ligjëratave të përbashkëta me Universitetin Iowa-USA.

Realizimi i kësaj vizite studimore aludon në rëndësinë e avancimit të njohurive të studentëve dhe në ndihmën e kuptimit të mirëfilltë të mënyrës së funksionuarit të planifikimit të procesit biznesor përmes një plani të biznesit.