Studentët e UBT-së në Prizren vizitojnë Autostrada Hangar për një përvojë praktike në art bashkëkohor

24/11/2025

Studentët e programit të Dizajnit, dega në Prizren e UBT-së, zhvilluan një vizitë studimore në Autostrada Hangar – Qendrën e Artit Bashkëkohor, të shoqëruar nga profesoresha e dizajnit grafik, Arbresha Hoxha, dhe profesoresha e modës, Nertila Mema.

Kjo vizitë u organizua me synimin që studentëve t’u ofrohet një përvojë e thelluar praktike dhe një perspektivë profesionale mbi rolin e artit bashkëkohor në dokumentimin historik dhe në komunikimin vizual.

Studentët e lëndës “Bazat e Dizajnit” patën mundësinë të njihen nga afër me ekspozitën Autostrada Biennale – një hapësirë ku praktikat bashkëkohore të artit dhe dizajnit ndërthuren me qasje novatore dhe forma eksperimentale të paraqitjes vizuale.

Gjatë vizitës, ata vëzhguan instalacione artistike, koncepte vizuale bashkëkohore dhe metoda krijuese të përdorura nga artistët e rinj dhe ndërkombëtarë. Kjo përvojë u mundësoi studentëve të thellojnë njohuritë mbi analizën vizuale, konceptimin e veprës artistike, përdorimin e materialeve dhe shprehjen estetike.

Përmes këtij aktiviteti, studentët zgjeruan të kuptuarit e tyre rreth rolit që ka dizajni në komunikimin kulturor e shoqëror, duke e parë nga afër mënyrën se si arti bashkëkohor kontribuon në krijimin, interpretimin dhe dokumentimin e realitetit.