Studentët e Fakultetit Inxhinieri e Energjisë në UBT, kanë realizuar një vizitë studimore në KOSTT

01/06/2022

Studentët e Fakultetit Inxhinieri e Energjisë në UBT, të shoqëruar nga profesorët e UBT-së, kanë realizuar një vizitë studimore në KOSTT, në Qendrën Dispeçerike në Prishtinë, me ç’rast u pritën nga inxhinieri, Arben Maloku, i cili ua tregoi hapësirat dhe i njoftoi më gjerësisht për punën dhe angazhimin e këtij institucioni.

 

Studentët u njoftuan për së afërmi me infrastrukturën energjetike të transmisionit dhe tregut të energjisë elektrike, gjithashtu thelluan njohuritë e tyre në pjesën e sistemit të operimit, duke ndërlidhur ligjëratat teorike me ato praktike.

 

SCADA operuese gjithashtu ishte pjesë e interesimit të madh të studentëve me pyetjet e shumta rreth ndjeshmërisë së punës dispeçerike për mbulueshmërinë e furnizimit me energji elektrike në Republikën e Kosovës.

 

Vizitat e tilla në kuadër të Fakultetit Inxhinieri e Energjisë në UBT, u mundësojnë studentëve të shohin nga afër institucionet që i përkasin kësaj fushe dhe të marrin njohuri të reja rreth profesionit të tyre.